Shehi vlerëson Besëlidhjen: “Kockë e fortë” në Kupë

0

Nesër në mesditë do të nisin ndeshjet e para të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, ku Skënderbeu e Partizani do të luajnë në transfertë. Korçarët e luajnë ndeshjen e parë të këtij turi në Lezhë, ndërkohë që Partizani është mysafir në Krujë. Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, këtë e quan një ndeshje serioze ndaj një kundërshtari që në Kupë gjithmonë ka bërë befasi, por për SportEkspres.com ai deklaroi se në Lezhë shkojnë për të siguruar kualifikimin.

“Besëlidhja ka qenë gjithmonë ‘kockë e fortë’ në Kupë dhe ne këtë e kemi menduar seriozisht për takimin nesër. Duke qenë në këto situata, vlerësimi ynë është maksimal dhe do të shkojmë për të siguruar kualifikimin që në takimin e parë”, ishte kjo deklarata e Orges Shehit për lidhur me takimin e Kupës nesër ndaj Besëlidhjes, e cila luhet në stadiumin “Brian Filipi” në Lezhë.

Ndërkohë që trajneri i Besëlidhjes i qëndron deklarimit të dhënë në SportEkspres.com tre ditë më parë, teksa shprehet se nesër Besëlidhja nuk do ta nisë si inferiore sfidën ndaj Skënderbeut. “Është e vërtetë deklarata se Besëlidhja ka qenë protagoniste në ndeshjet e Kupës, dhe nesër kështu do të ndodhë me Skënderbeun. Nuk do të hyjmë si inferiorë në këtë sfidë, edhe pse kemi përballë një nga skuadrat më të mëdha të futbollit shqiptar në dhjetë. Do jemi vërtet surpriza e Kupës së Shqipërisë në këtë sezon”.

Takimi Besëlidhja-Skënderbeu luhet nesër në ora 14:00 në stadiumin “Brian Filipi” të Lezhës, dhe ky është takimi i parë i turit të dytë të Kupës së Shqipërisë.

AGRON KAJA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.