Shehi trajner nuk ndalet më: “Komplimente skuadrës, pas pak javësh më të fortë”

Trajneri i ri i Skënderbeut, Orges Shehi, është i emocionuar dhe duket ende sikur është në fushë, duke pritur gjuajtjet e kundërshtarit. Tashmë Shehi pret mirë pyetjet e gazetarëve dhe në “Gol pas goli” në Supersport i ka fshehur mirë emocionet e ndeshjes së parë të kampionatit duke qenë në rolin e ri. Fitorja kundër Partizanit ishte e dyta për të në po aq ndeshje zyrtare, start perfekt.

“Fitore me vlerë të dyfishtë, sepse erdhi përballë një rivali direkt. Më vjen mirë që skuadra ka gjetur ritmin e duhur, sepse kishim pak vështirësi kohët e fundit. Skuadra u shpreh mirë dhe meriton komplimente, sepse ka gjetur ritmin dhe urinë e duhur, edhe pse pa ndeshje zyrtare deri në ndeshjen e Laçit.

“Ne e kemi përgatitur mirë ndeshjen me Partizanin, e dinim që Partizani do të bënte ndryshime në krahasim me miqësoret e turneut Pascucci dhe i kishim marrë masat, duke bërë edhe zëvendësime gjatë ndeshjes.

“Skuadra është në rritje e sipër, disa lojtarë sapo kanë përfunduar procedurat e federimit, si Gavazaj, dhe shpresojmë të kemi edhe ndonjë përforcim në ditët e ardhshme.

“Stoli? Kemi shumë lojtarë që janë ende larg formës optimale, apo vijnë nga dëmtimet, ndaj është ende herët për të thënë që ky është Skënderbeu. Me kalimin e kohës skuadra do të kompletohet dhe do të kemi më shumë mundësi e cilësi në fushë.

“Raporti me ish-shokët e skuadrës? I falënderoj, sepse kemi krijuar një raport profesionist, duke i ndarë shumë mirë marrëdhëniet në fushë dhe jashtë saj. Emocioni është i madh ende, sepse nuk ka shumë kohë që jam ndarë nga fusha, por këta lojtarë ma bëjnë më të lehtë. “Heqja e xhaketës gjatë ndeshjes me urdhër të zyrtarëve të ndeshjes? Ndoshta krijonte problem ngjyra, por të ishte për mua futesha në fushë, kush e kishte mendjen te xhaketa”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *