Shehi prezantohet të enjten, Takaj premton ekip për titull

 

Këtë të enjte, datë 5 korrik, Skënderbeu do të nisë udhëtimin mes risive, pikëpyetjeve dhe premtimeve. Sezoni i ri i korçarëve do të hapet me prezantimin e trajnerit të ri Orges Shehi në ambientet e klubit. Përkrah tij do të jenë edhe zv.trajneri Edlir Tetova, si edhe Ilir Bozhiqi e Gentian Liçi, që mbeten pjesë e stafit teknik.

Përkrah trajnerit të ri pritet të jetë edhe presidenti Ardjan Takaj, që referuar “Korça Sot” ka premtuar një skuadër cilësore edhe për edicionin e ri, me besimin se Skënderbeu do të pretendojë fitimin e titullit. Drejtuesi i klubit ka premtuar se do të vazhdojë të investojë seriozisht deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

Menjëherë pas prezantimit, ekipi do të nisë stërvitjet në fushë. Në stërvitje me ekipin pritet të bashkohet edhe blerja e parë e merkatos Erlis Frashëri, ashtu si edhe Radas e Muzaka që rinovuan kontratat. Normalisht me ekipin pritet të jenë edhe Gavazaj e Nimaga, që gjithsesi mbeten në merkato dhe presin oferta nga skuadrat europiane.

Grupi do të plotësohet me rikthimet e disa lojtarëve nga huazimet, nga Oto Xhon e Ardit Hoxhaj, për të vazhduar me Bruno Lulaj dhe Çarls nga Rabotniçki. Ashtu siç është paralajmëruar, Skënderbeu do të qëndrojë deri në mesin e muajit korrik në Korçë, për të vijuar më pas fazën përgatitore në Greqi, ku risia është se pritet të qëndrojë afërsisht katër javë në vendin fqinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *