Shehi: Përvoja që kemi s’na lejon të gabojmë

Kapiteni i korçarëve, jo për diplomaci, thekson se skuadra duhet të jetë serioze në fushë dhe të vlerësojë kundërshtarin

Kapiteni i skuadrës korçare, Orges Shehi, ka folur me shumë optimizëm për një Skënderbe të fortë në Kupat e Europës, ku kthehet pas një viti pezullim. Portieri veteran i juglindorëve ka prekur disa çështje të ekipit dhe atë personale.

ETIKA – “Kuptohet, heqja e titullit na ka mërzitur jo pak, por mendimi im është se vendimi i Etikës nuk do të lërë gjurmë në ecurinë tonë në Europë e në vazhdim. Gjithçka e kemi fituar me djersë në fushë. Kemi 6 tituj radhazi dhe kjo është e rëndësishme për ne”, – u shpreh Shehi për vendimin  e fundit të Komisionit të Etikës, që i hoqi titullin e fundit Skënderbeut.

TËRHEQJA? – “Në këtë moment nuk ka rëndësi shumë se çfarë do të bëj unë për të ardhmen, do të tërhiqem apo jo. Skënderbeu duhet të përqendrohet te ndeshjet që ka përpara dhe unë gjithashtu.”

EUROPA – “Kemi përvojë dhe lojtarë me kualitet, të cilët mund të bëjnë mirë në Kupat e Europës. E kemi grupin për të shkuar larg. Skënderbeu ka marrë disa lojtarë të mirë, që kanë potencial dhe do të na ndihmojnë shumë. Kemi përpara San Julian dhe mendojmë vetëm për të, sepse çdo kundërshtar, nëse nuk e vlerëson drejt, të hap probleme. Të gjithë te Skënderbeu e kanë të qartë se për të kaluar turet në Europë duhet të japësh maksimumin. Ne e kemi përvojën për të bërë atë që duhet dhe për ndeshjen e parë pres një Skënderbeu serioz në fushë, që nuk duhet ta diskutojë fitoren”, – përfundoi portieri i korçarëve, Shehi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *