Shehi: Nuk varemi nga një emër, ja përse e ndërrova sërish Bregun

Skënderbeu fiton dhe ndryshe nga sezonet e tjera, ku skuadra varej nga emra të veçantë, tashmë te bardhekuqtë shënojnë lojtarë të ndryshëm. I tillë është rasti i Ardit Hoxhajt, që u aktivizua nga stoli për të zgjidhur ndeshjen.

Pas suksesit në Gjirokastër, për “Gol pas Goli”, trajneri Orges Shehi u shpreh i kënaqur që në ekip shënojnë të gjithë, ndërsa foli sërish për Dejvi Bregun, duke zbuluar arsyen përse e zëvendësoi sërish.

HOXHAJ – “Sigurisht për mua dhe për stafin është e rëndësishme të dalim përpara portës me logjikë. Më vjen mirë që skuadra po shpreh atë që i kërkojmë, më pas dikush do e bëjë golin. Duke shfrytëzuar shpejtësinë dhe eksperiencën, vendosa të aktivizoj Hoxhajn, edhe pse vinte pas dëmtimit të gjatë.”

GOLAT – “Personalisht më pëlqen kjo që po bëjmë, që të mos të jemi të varur nga një lojtar, por ta sulmojmë portën me shumë forca. Më vjen mirë që po shënojnë shumë lojtarë. Kjo është diçka shumë e mirë për moralin. Jam munduar ti jap të gjithë lojtarëve minuta, përveçse për dy prej tyre. Të gjithë duhet ta ndjejnë se janë të rëndësishëm.”

LULAJ – “Edhe pse lojtarët gabojnë, duhet ti japësh besim. Është e lehtë ta anashkalosh, por nuk do të ishte e drejtë. Gabimet janë njerëzore. Lojtarët duhet të zhvishen nga ndjenja e përgjegjësisë. Në skuadër nuk flitet me unë, por me ne, fitohet dhe humbet si skuadër. Kështu ishte për Lulajn, për ti treguar që besimi është për të gjithë.”

LUFTËTARI – “Isha i përqendruar vetëm te skuadra ime dhe nuk kam asnjë koment për kundërshtarin.”

BREGU – “Sigurisht që nuk ka çështje Bregu. Nuk është taksative që kur të dalë lojtari duhet të takojë trajnerin. Kur zëvendësohet lojtari e ka mërzitjen me veten e tij. Të nesërmen në stërvitje gjithçka shkon normalisht. E rëndësishme është që Bregu reagoi shumë mirë, është një djalë i pjekur dhe një pjesë shumë e rëndësishme e jona.”

ZËVENDËSIMI – “Nuk jam i pakënaqur, por ana fizike dhe terreni i rënduar që ishte në Gjirokastër e penalizon një lojtar si Bregu. Ky nuk është terreni më i mirë i mundshëm për karakteristikat e Bregut.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *