Shehi kërkon kthesën: Deçizive për ne, kundër Laçit dua “dhunë”!

Skënderbeu do të presë Laçin nesër në Korçë, në një nga ndeshjet më të forta të kësaj jave. Ekipi i Orges Shehit po kalon një krizë rezultatesh dhe në përballjen kundër bardhezinjve vjen nga 6 humbje rresht!

Trajneri bën thirrje për kthesë në konferencën për shtyp përpara ndeshjes dhe tregon mënyrën e duhur për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Shehi ka besim te djemtë e tij, ndërsa nuk e përcaktuar akoma formacionin titullar për ndeshjen kundër ekipit të Prengës.

SITUATA – “Pas këtyre rezultateve, çdo ndeshje është e vështirë dhe duhet bërë maksimumi që nesër të kthehemi me patjetër te tre pikët. Sigurisht që kemi pasur një ndeshje Kupe në mesjavë dhe kemi qenë më pak të ngarkuar në stërvitje, pasi edhe në Kupë luajtëm me formacionin në funksionon të ndeshjes me Laçin.”

LAÇI – “Është ndeshje e rëndësishme, jemi përgatitur mirë. Kemi punuar me seriozitet gjatë gjithë javës. Do japim 100% të kthehemi te fitorja, pasi na shërben për vazhdimësinë, na shërben edhe për anën psikologjike. Shumica e lojtarëve janë të rinj dhe rezultatet negative ndikojnë. Kështu që është një ndeshje me rëndësi të madhe.”

SKËNDERBEU – “Po t’i bëjmë rezymenë skuadrës nga fillimi i sezonit, kemi pasur largime dhe dëmtime. Ata që kanë ardhur në janar po rriten fizikisht gradualisht. Disa prej tyre do jenë në fushë nesër. Kemi skuadër të re, do ketë emra të rinj.”

Problemi i golit? Që të fitosh duhet të shënosh. Gjatë kësaj periudhe kemi prodhuar, por nuk kemi qenë agresivë për të shënuar. Duhet edhe pak ‘dhunë’ sportive për të realizuar.  Nesër na del për detyrë t’i bëjmë të gjitha këto, sepse pa shënuar nuk fitohet. Nesër na duhet me patjetër fitorja dhe duhet të sulmojmë me forca të shumta, sigurisht pa harruar edhe prapavijën. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm.”

Formacioni? Kemi ende disa dilema, pasi nesër do të kemi sërish mungesa. Disa për arsye dëmtimi, kurse ndonjë edhe për arsye familjare. Kështu që duke iu bashkëngjitur problemit të huajve, do bëjmë një përzgjedhje në varësi të kundërshtarit dhe ndeshjes. Nuk mund ta them formacionin.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *