Shehi: I pavend kartoni i Abazit, ku ka më mirë se të mundësh Kukësin!

Fitorja  e fundit me Kukësin ka risjellë buzëqeshjet në kampin korçar. Trajneri Orges Shehi e ka vlerësuar shumë atë trepikësh, ndërkohë që thekoi se ishte vazhdimësi e atyre 30 minutave të fundit në Durrës me Teutën. Në intervistën e dhënë për mediat pas ndeshjes, ai foli edhe kartonin e kuq që mori Leonit Abazi. Një tërheqje veshi për mbrojtësin, ndërkohë që analizon sfidën me Kukësin, ndikimin që fitorja ka në skuadër dhe pritshmëritë që ka për vazhdimin. Nuk mungojnë as batutat, madje që në fillim të intervistës së tij.

Shehi, ky ishte marshi i duhur i Skënderbeut?
-Meqë ma bërë pyetjen sikur po i jep makinës, është një vazhdimësi dhe e nisëm aty ku e lamë me Teutën. Është një marsh, një ritëm i asaj që dëshirojmë të kemi.

Ishit më kërkues në pjesën e parë, ndërsa pjesën e dytë më ndryshe. Çfarë ndodhi?
-E kishim përgatitur ndeshjen vetë ashtu, që të ishim agresiv në minutat e parë. Si fryt i këtij agresiviteti edhe shënuam. Pastaj, duke ditur edhe objektivat që skuadra kundërshtare ka dhefaktin që nuk kishin çfarë humbnin, menduam të ishim në bllok në mbrojtje dhe më pas të shfrytëzonim kundërsulmet.

A është i justifikueshëm veprimi i Abazijt, që u ndëshkua me karton të kuq?
-Është një ndërhyrje që më vjen keq që ndodh. Ai i ka kërkuar falje edhe lojtarit kundërshtar. Me Abazin do të ndalojmë e të flasim kur të jemi më të qetë. Është një situatë që i ka ndodhur shpesh atij, duhet të kontrollojë ndërhyrjet, duhet të kontrollojë intensitetin dhe jo të bëjë ndërhyrje në zona të kota. Një mbrojtës që merr karton të kuq në sulm është diçka e pavend.

Nuk ju kemi parë asnjëherë kaq të qetë, ua ktheu kjo fitore atë ju dhe skuadrës?
-Vinim pas rezultateve jo të mira. Pavarësisht se luanim, krijonim, ndëshkoheshim në situata shumë të korrigjueshme. Sigurisht që të sjell mungesë humori, acarim. Dihet që jemi skuadër me objektiva. Duke marrë një pikë karakteri në Durrës, si dhe duke u rikthyer te fitorja ndaj një kundërshtari direkt si Kukësi, është pozitive. Ku ka më mirë se të kthehesh te gjendja e mirë ndaj një kundërshtari të tillë.

A është Skënderbeu në ritmin e duhur?
-Besoj se po. Pas ndeshjes në Durrës, kjo ishte vazhdimësi. Nuk është vetëm ritmi, është dëshira, është agresiviteti që ka skuadra dhe është gjendja psikologjikë, që është shumë e rëndësishme. Kjo do të jetë një shtysë për të ecur përpara.

Ju dhe Cungut luajtët çdo gur për të marrë rezultatin e dëshiruar. A dolët ju fitues?
-Ne kërkojmë rezultatin dhe ai vjen duke ndryshuar edhe manovra. Kemi ndryshuar skemë dy herë gjatë ndeshjes. Duke parë që edhe ndërrimet i kemi të kushtëzuara, për shkak të të huajve, nisëm të bënim edhe eksperimente. Këto janë mundësitë dhe shpresojmë të na kthehet Bregu në 100%. Shpresojmë gjithashtu që Taipi të pajiset me pasaportë dhe mundësitë do i kemi më të shumta për të bërë zgjedhje.

Nga fundi i lojës, e shikonit orën?
-Unë zakonisht e shoh kot, pasi nuk e di se kur fillon kur mbaron ndeshja. Pyes gjithmonë ndihmësit e mi edhe sa lojë ka. Ndodh sepse skuadra donte tre pikë dhe ku ta gjesh ndaj një kundërshtari si Kukësi. Nuk mbaron me këto tre pikë kampionati, por janë tre pikë shumë të arta që shërbejnë për vazhdimësinë, për besimin e skuadrës. Prandaj doja që këtë ndeshje të mos e humbnim për asnjë lloj arsyeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *