Shehi i kënaqur, zbulon afrimin e dytë te kampionët

Skënderbeu dhe Teuta u ndanë në barazim pa gola sot në Durrës dhe tanimë mendojnë për pjesën e dytë të sezonit. Pas takimit, trajneri i korçarëve, Orges Shehi, foli për gjendjen e skuadrës së tij dhe njoftoi afrimin e Shqiprim Taipit në mesfushë.

“Jemi të kënaqur, por duhet të korrigjohemi aty ku kemi probleme. Kemi mungesa, për fatin tonë të keq kemi dëmtime. Kemi marrë Asanin dhe Taipin, ndërkohë që edhe ata nuk kanë ende formën e duhur. Shpresa ime është të kthehen sa më shpejt”.

“Bregu do qëndrojë për disa kohë jashtë. Për Lulajn dhe Krasniqin do bëjmë çmos t’i kemi për ndeshjet me Partizanin. Synimi ynë është të kthehemi skuadra e fillimit të sezonit. Do bëjmë më të mirën që të kthehemi aty ku na takon”, tha Shehi për “RTSH Sport”.

TAIPI – Mesfushori qendror ka pasaportë të Kosovës dhe nuk konsiderohet i huaj. Taipi, vëllai i Gjelbrimit, u largua nga Shkëndija e Tetovës pak ditë më parë. Futbollisti 21-vjeçar nuk kishte hapësira te kuqezinjtë. Këtë sezon luajti pesë ndeshje dhe vetëm një herë e nisi si titullar.

Në të shkuarën në Maqedoni ai është aktivizuar për Turnovon, ndërkohë që Shkëndija e pat huazuar më pas te Shkupi dhe Prishtina në Kosovë. Tanimë ai do të provojë Superioren. Shehi e donte me ngulm mesfushorë qendre dhe në vijim mund të ketë edhe ndonjë afrim tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *