Shehi: Duhej pak më shumë kujdes, kështu e pësuam edhe në Zagreb

Kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi, foli për RTSH pas ndeshjes kundër Jang Bojs, duke mos u marrë shumë me gjykimin, por duke folur për paraqitjen e skuadrës korçare, që u ndëshkua sërish në fund.

“Më vjen keq për rezultatin, sepse luajtëm mirë, si të barabartë, duke treguar se nuk jemi inferiorë ndaj askujt.

“Kemi luajtur dy kampionate: në Shqipëri dhe në Europë, një numër shumë i madh ndeshjesh. Jemi paraqitur shumë mirë, kemi luajtur futboll europian, kemi dhuruar ndeshje të mira brenda e jashtë Shqipërie.

“E ardhmja ime? Nuk ka rëndësi ajo, duhet të mendojmë për të ardhmen e skuadrës, jo personalen. Dalim nga një kompeticion shumë i rëndësishëm, eveniment shumë i madh për ne që luajmë në Shqipëri. Është edicioni i dytë që marrim pjesë në grupe dhe këtë radhë kemi dalë me kokën lart, është një vit që do të lërë shenjë.

“Arbitri? Nuk e kam zakon të flas për arbitrat. Me sa më thanë çunat, pati disa momente të dyshimta në zonën e Jang Bojs, por nuk është në karakterin tim të merrem me gjykimet.

“Nervozizmi i skuadrës? Ndoshta mund ta menaxhonim ndeshjen pak më mirë, por kështu është futbolli, në fund ndëshkohesh. Më kujtohet pak ndeshja me Dinamon e Zagrebit, kur në fund kaluam pak në panik dhe e pësuam në shtesë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *