Shehi: Bëjmë gabime të pafalshme, kualifikimi 50-50

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, foli pas ndeshjes së Kupës kundër Kukësit për Supersport, ku analizoi takimin e sapo mbyllur, ecurinë e skuadrës dhe kualifikimin për në finale. Në fjalën e tij, tekniku u shpreh:

NDESHJA – “Sigurisht që nuk i jam i kënaqur, nga mënyra si i pësojmë golat. Kjo është një ndeshje shumë delikate, duhet të ishim shumë të kujdesshëm. Pakujdesia më ka mërzitur. Në pjesën e dytë, luajtëm më mirë, ndryshuam skemën, shënuam një gol të rëndësishëm dhe kualifikimi është i hapur”.

GABIMET – “Janë evidente. Kemi marrë përsipër disa rreziqe, pasi kemi lojtarë të rinj. Më vjen keq që vazhdojmë kështu. Duhet të kemi vazhdimësi, por kështu është futbolli. Duhet me i dhënë besim lojtarëve, t’i qëndrojmë afër, jo t’i godasim!”

KUALIFIKIMI – “Duke pasur parasysh që goli në fushë kundërshtare të ndihmon, na jep shpresë dhe mendoj se shanset janë të barabarta si për ne, ashtu dhe për kundërshtarin”.

MASAT – “Të vjen keq për gabimet, pasi për një gabim të digjet gjithë sezoni. Por unë i qëndroj fjalës time, e thashë më lart. Unë mundohem t’i mbroj lojtarët e mi, të jem krah për ta. Jam munduar t’i ndihmoj shumë mbrojtjen dhe portierin. Por le t’i lëmë gabimet pas, të vazhdojmë të shohim përpara”.

SAMBU – “Situatat kanë qenë të ndryshme, ndeshje pas ndeshje kanë qenë shumë lojtarë që gabuan. Sot nuk gabuam vetëm te goli i dytë, por dhe te goli i parë. Është gabim individual i Sambu dhe është shumë vështirë për t’u hequr kjo mangësi e tij. Por është i ri dhe do të përmirësohet. Do të luajë herë Pëllumbi, herë Sambu”, tha Shehi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *