Shehaj largon euforinë: Të mundim patjetër Korabin!

0

Njeriu i ndeshjes me Laçin, sulmuesi Ardit Shehaj, i cili këtë sezon është aktivizuar edhe në mesfushë, shënoi golin trepikësh, që i jep Flamurtarit më shumë qetësi dhe siguri për vazhdimin e kampionatit. Ishte një gol me shumë peshë, sepse i dhuroi skuadrës vlonjate një fitore me shumë përballë Laçit të vështirë. Shehaj kërkon që këtë sukses ta ndajë me të gjithë shokët e skuadrës dhe të mos e konsiderojë arritje personale. Vlonjati shprehet se Flamurtari ka mundësinë më të mirë ta mbyllë ketë sezon me një tjetër fitore, por bën apel për kujdes përballë Korabit, për të mos kaluar aspak në eufori, pasi kundërshtari ka lojtarë cilësorë. Ja intervista e Shehajt për “Sport Ekspres”:

– Shehaj, me Laçin keni marrë një fitore shumë të rëndësishme. Si ndiheni tani?

– Po, është vërtet fitore e rëndësishme, duke pasur në konsideratë faktin se me Laçin kishim hasur gjithmonë vështirësi në ndeshjet në Vlorë. Por, më shumë se kaq, ishte një fitore, që na vlen për renditjen, pasi vinim me pikë të barabarta me kundërshtarin, ndaj dhe duhej me çdo kusht të merrnim maksimumin. Për fat të mirë, e kemi arritur, edhe pse jo me lojën më të mirë të mundshme. Kemi arritur objektivin dhe tani shohim përpara.  

– Goli juaj prishi “magjinë”, sepse Laçin nuk e mundnit prej 6 vitesh në fushën tuaj…

– Po, e di këtë fakt dhe më vjen mirë, që më në fund kemi arritur  të fitojmë përballë një kundërshtari, që na kishte krijuar probleme kaq të mëdha në Vlorë. Më vjen mirë, që goli im ka shërbyer për të marrë një fitore me shumë vlera, që në fakt i takon gjithë skuadrës, pasi të gjithë gjatë gjithë kësaj kohe kemi sakrifikuar jo pak për të qenë në fushë. Nuk ka rëndësi kush shënon, e rëndësishme mbetet fitorja.

– Ky trepikësh ju largon disi nga zona e ftohtë?

– Për momentin, pasi duhet të jemi më lart në renditje. Duke parë skuadrën, jam i mendimit se e meritojmë plotësisht të jemi jo në pozicionin aktual, por shumë vende më lart. Pastaj, kemi edhe 6 pikë, që na mungojnë në renditje dhe, nëse na kthehen, të jeni të sigurt se do të tentojmë më shumë se kaq, Kupat e Europës. Mendoj se edhe më pikët që kemi dhe grupin e lojtarëve në dispozicion, mund të shkojmë në Europë. Por kemi edhe Kupën e Shqipërisë, ndaj mundësitë për në Europë janë reale. Duhet të shohim përpara dhe me shumë kujdes në ndeshjet në vijim.

– Flamurtari u ka hapur mjaft probleme ekipeve pretendente, duke qenë i barabartë me ta. Komenti juaj?

– Kjo është e vërtet dhe tergon se jemi të barabartë në forcë me ta. Motivi vjen vetë dhe në përgjithësi skuadra si Tirana, Skënderbeu apo Partizani, të lejojnë të luash, ndërkohë që vështirësi ka me skuadrat që mbrohen. Megjithatë, di të them se, pavarësisht këtij fakti, kemi treguar se me çdo kundërshtar dimë të jemi superiorë. E kemi treguar në fushë. Me të “fortët” kemi më shumë karikim dhe tifozët krijojnë një tjetër atmosferë në stadium.

– Si e prisni ndeshjen me Korabin?

– Është një ndeshje me shumë rëndësi, që duhet ta marrin shumë seriozisht. Korabi drejtohet nga trajneri Haxhiu, që e njeh mjaft mirë mentalitetin vlonjat. E kam pasur trajner te të rinjtë dhe e vlerësoj. Por jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe do të kërkojmë ta mbyllim me sukses këtë vit, duke arritur një tjetër fitore. Tri pikët në këtë përballje na japin shumë qetësi dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Korabi ka një skuadër me lojtarë, që e njohin shumë mirë Superligën dhe për ta është një  pikë shumë kyçe. Me një fitore mund të futen bindshëm në lojë, ndërsa një humbje u jep një goditje të madhe. Ne shohim punën tonë dhe duam fitoren për veten, klubin dhe tifozët, të cilët kanë qenë dhe mbeten të mrekullueshëm për ne.

Elton Nika

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.