Shans i dytë për Panuçin, arsyet pse ndryshoi plani

0

Kristian Panuçi nuk do të largohet nga drejtimi i kombëtares. Presidenti Armand Duka dukej se e kishte ndarë mendjen ta largonte italianin pas humbjes me Skocinë, por ka ndryshim plani. Fitorja me Uellsin duket se i ka dhënë sinjalet e duhura numrit një të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe bashkëpunimi do të vijojë.

Gjithsesi mes palëve ka pasur bisedime dhe Panuçi ka premtuar se do të arrijë objektivin për t’u kualifikuar në “Euro 2020”. Sigurisht një tjetër Europian dëshirohet nga të gjithë në vendin tonë dhe Duka në fakt e ëndërron diçka të tillë.

Një nga kushtet që Panuçi duhet të plotësojë ka të bëjë me qëndrimin në Shqipëri. Nëse më parë shihej rrallë në vendin tonë, kjo gjë do të ndryshojë dhe pritet që trajneri i Kombëtares të jetë më shpesh në stadiumet tona për të ndjekur ndeshjet e Superiores.

Nëse kjo do të ndikojë në rritjen e numrit të lojtarëve që luajnë në vend në kombëtare, mbetet për t’u parë. Gjithsesi lajmi është konfirmimi i Kristian Panuçit në krye të kombëtares për kualifikueset e Euro 2020. Më 2 dhjetor, së bashku me Dukën pritet të jetë i pranishëm në hedhjen e shortit.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.