Shala tenton të rregullojë gafën: E kisha me De Biazin, jo me tifozët apo FSHF-në

Herolind Shala postoi dje në faqen e vet në Facebook një mesazh që tingëllonte si një sulm për Shqipërinë, Federatën dhe trajnerin De Biazi, i cili nuk e mori në Euro 2016: “Na nënçmuat? Në rregull, ne flasim vetëm në fushë”.

Natyrisht, fraza që krijuan debat të madh, pasi qartësisht dallohet hatërmbetja e mesfushorit, i cili me sa duket kishte pritur me padurim fitoren e djeshme të Kosovës ndaj Shqipërisë, për të shfryrë dufin. Natyrisht, një postim jo i mirëpritur ai i Shalës, i cili ka marrë edhe shumë ofendime, ndaj është detyruar të reagojë pak orë më vonë, për të sqaruar që “e kishte vetëm me De Biazin dhe disa gazetarë e analistë”.

“Përshëndetje të dashur miq. Dua të sqarohem për një shkrim timin pas ndeshjes së djeshme vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë. Fjala ‘na nënçmuat’ ka qenë vetëm për disa gazetarë e analistë, por edhe për trajnerin italian që na kanë nënçmuar para ndeshjes dhe jo për tifozët ose ndokënd në FSHF.

Si Përfaqësuese e re nuk meritojmë nënçmim, së paku meritojmë përkrahje për t’u rritur pasi edhe ne si futbollistë që luajmë për Kosovën mundohemi t’i prezantojmë sa më mirë shqiptarët kudo që janë.

Mbi të gjitha ne jemi të gjithë shqiptarë, ne jemi të një kombi por kemi dy ekipe futbolli. Faleminderit që me keni dërguar qindra mesazhe duke më ofenduar, nuk ua kthej në të njëjtën mënyrë asnjëherë.

Mbi të gjitha unë jam shqiptar i Kosovës dhe statusi im nuk ka qenë për të përçarë dy tifozëritë, por tregova arsyen përse.

Të gjithë që jeni ndier të ofenduar ose jeni prekur nga ai shkrim i imi ju kërkoj falje, edhe pse qëllimi nuk ka qenë për ta lënduar askënd.

Faleminderit për mirëkuptim shqiptarë kudo që jeni. Forca Shqipëria & Forca Kosova!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *