Shakohoxha ngacmon Bushin, nëse Rejën e prek pandemia: E merr ti Shqipërinë A?

Trajneri Reja ka qenë prej disa kohësh nën kritikën e gazetarit Dritan Shakohoxha. Nga fjalët se tekniku Italian nuk mban mend emrat e lojtarëve e deri te akuzat për një rrogë të pamerituar në këtë periudhë pandemie, duke qenë se Kombëtarja nuk është grumbulluar asnjëherë në këtë periudhë. Megjithatë Reja do e pranonte po vetë për “Supersportin” se hiqte dorë me kënaqësi nga paga e tij për të ndihmuar futbollin shqiptar, ndërsa ka qenë. Por këtë herë Shakohoxha e kalon paksa masën dhe duke pasur parasysh moshën e italianit dhe pandeminë që ka shpërthyer në mbarë botën, po mendon për skenarin më të keq.

Në emisionin “Fan Zone” në ditën e sotme, gazetari shqiptar ka pasur të ftuar Alban Bushin, të cilit i ka shtruar pyetjen se meqë Reja është i vjetër në moshë dhe mund të preket nga pandemia, a do të ishte i gatshëm ta merrte stolin e Kombëtares. Ndërkohë trajneri i Shpresave të Shqipërisë është përgjigjur se ndihet mirë në pozicionin aktual dhe nuk po mendon Kombëtaren A.

“Momentalisht ndihem shumë mirë te Kombëtarja U-21 e Shqipërisë. Dëshiroj që të vazhdoj të marr ende eksperiencë këtu dhe t’i shërbej në maksimum skuadrës sime. Nuk e kam menduar të bëhem pjesë e Kobëtares A”, ka qenë përgjigja e Alban Bushit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *