Sfidon trajneri i Egnatias, Sinella: Dënimi i fushës nuk na largon me tifozët

Komisioni i Disiplinës në FSHF e ka dënuar me katër ndeshje fushën e Egnatias, çka do të thotë se rrogozhinasit do ta mbyllin fazën e dytë vetëm në transfertë, dhe po kështu dhe dy ndeshjet e para të fazës së tretë. Por trajneri kavajas i Egnatias, Bledar Sinella e sfidon këtë dënim, duke deklaruar se ky nuk i ndalon ata që të japin maksimumin në çdo ndeshje, njëherësh nuk i pengon edhe tifozët që ta ndjekin skuadrën në të gjitha stadiumet ku ajo do ti luajë ndeshjet.

Pyetjes së SportEkspres.com se do të ketë ndikim te skuadra ky dënim, trajneri Bledar Sinella i përgjigjet me të kundërtën. “Nuk mendoj kështu, madje përkundrazi, ky dënim i fushës na bën që të impenjohemi më shumë se maksimumi. Afërsia gjeografike ku do të luhen ndeshjet, që nga ajo e radhës me Orikumin që do të luhet në Peqin, nuk i ndalon as edhe tifozët që të na ndjekin”.

Egnatia renditet në vendin e 3-të në Grupin B të Kategorisë së Parë me 25 pikë, 5 pikë më pak nga Bylisi kryesues dhe 1 pikë larg Besës së vendit të 2-të. Gjatë muajit janar Egnatia zhvilloi tre ndeshje miqësore ku fitoi 4-0 me Albpetrolin dhe 1-0 me Vorën, ndërsa humbi 0-1 me Kastriotin. Nesër në Peqin luan ndaj Orikumit ndeshjen e javës së 15-të.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *