SFIDA E REJA TË DUKËS

0

Pavarësisht se ai jo vetëm që nuk e thotë në publik, por ndoshta as nuk e mendon, është e pashmangshme se një mandate i pestë – teorikisht 20 vite në krye të një organizate – janë një rrezik psiko-analitik, që në mënyrë të pashmangshme Duka dhe kushdo qoftë në vend të tij, të ndihet ose ta bëjnë të ndihet si një “sulltan”, “mbret” apo “diktator”. Kjo ndodh rëndom në çdo fushë të jetës dhe një nga sfidat kryesore që duhet të ketë tanimë presidenti i futbollit është pikërisht lufta me veten, për të mos e konsideruar organizatën dhe situatën si një pronë personale. Ai është pa diskutim shumë inteligjent dhe e kupton fort mirë që ky mandat nuk ka qenë i thjeshtë. Ata që e besuan, në një farë mënyre e bënë dhe për veten. Shumica e klubeve me kapital privat u përfaqësuan në votime nga biznesmenë me lidhje të pashmangshme me politikën dhe ata në një farë mënyrën sakrifikuan, duke e votuar e madje shumica prej tyre duke e shprehur në publik votën që do hidhnin në kuti.

Në një vend si Shqipëria, të kesh përballë politikën krijon automatikisht një lloj presioni dhe votën e tyre Duka duhet ta konsiderojë jo vetëm si një meritë personale e menaxhimit apo një provë miqësie, por mbi të gjitha një detyrim. Askush nuk është perfekt dhe është e udhës që Duka të krijojë gjithnjë e më shumë një klimë më përfshirëse, standarde gjithnjë e më shumë më të larta dhe një pavarësi që klubet duhet dhe kanë nevojë ta kenë më së fundmi. Rikonfirmimi madje me më shumë se 60% të votave në asamble nuk duhet ta shndërrojë presidentin e federatës në sulltanin nga skrivania e të cilit kalon gjithçka. Qoftë për meritë të tij, apo edhe se ka 16 vite në këtë post, ai është shndërruar jo vetëm në një menaxher, por edhe në një këshilltar për shumicën e klubeve, aq sa projektet dhe strategjia e disa klubeve kalojnë edhe nga këshillat e Dukës. Kur je në nivele të larta patjetër që njerëzit rreth e rrotull shpesh shndërrohen në, le të themi, sajdisës dhe pas 16 viteve ai duhet ta ketë dhe me siguri e ka nuhatjen për ta bërë diferencën se si duhet të sillet në këtë komunitet, gjysma e të cilit për hir të së vërtetës nuk është se ka një orientim direkt biznesi për futbollin.

Përveç evitimit të klimës së diktatorit, ka një mori gjërash që në 4 vitet e ardhshme mund të rregullohen. Nëse Kombëtarja ka arritur majat në organizim, çka është reflektuar dhe në rezultate pozitive, ajo çka ndodh në vend ka vend për përmirësim. Në mungesë të Ligës, shpërblimet për sukseset sportive janë disi të vogla. Kampioni merr 100 milionë, fituesja e kupës 50 milionë, ndërsa fituesja e Kategorisë së Parë 30 milionë. Të gjitha këto, të vjetra. Sigurisht që duhet ruajtur një lloj raporti mes shpenzimeve dhe të ardhurave, por në buxhetin e përgjithshëm mund të ketë disi vend për stimulime më të mëdha. Mund të ketë stimuj financiarë për ekipet që shkojnë në Europë, për turet e kaluara, për sukseset brenda vendit dhe për pozicionet në renditje. Rideminsionimi i Kupës së Shqipërisë, rikthimi i një sistemi me short të lirë, dhe pse jo një Kupë Lige ku marrin pjesë vetëm ekipet e Superiores mund të jetë një motiv më shumë financiar.

Nga ana tjetër, ndryshimi i formulës së Kategorisë së Parë duhet të ndodhë një orë e më parë. Në këtë kategori marrin pjesë 20 ekipe, nga të cilat vetëm 2 ngjiten më lart, dhe ky raport matematikor ka ulur investimet dhe ekipet në përgjithësi janë dorëzuar, duke ulur buxhetet e cilësinë. Ca më tepër në Kategorinë e Parë vjen një moment që shumë ekipe nuk kanë asnjë lloj interesi sportiv dhe financiar dhe pikërisht në atë moment gara bëhet shpesh e kompromentuar.

Shumë gjëra mund të bëhen në rritjen e përgjegjësisë sociale, sidomos për futbollistët e nivele të ulta, ku përveç funksionimit për t’u lavdëruar të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve, mund të aplikohen skema të tipit rritja e rrogave dysheme apo sigurimi i futbollistëve me detyrim nga klubet për dëmtimet. Përgjegjësia sociale në shumë vend të Europës parashikon dhe pensionet e sportistëve, apo pagesa në formë asistence për trajnerët e licencuar, të cilët janë për momentin të papunë. Belgjika ka një skemë shumë interesante për pensionet e lojtarëve. 5% e çdo rroge mujore të çdo futbollisti sipas kontratës së deklaruar ngurtësohet dhe u derdhet lojtarëve në momentin që ata mbushin 35 vjeç. Gjithashtu, në shumë federata trajnerët e licencuar marrin një pagesë minimale mujore kur ata janë zyrtarisht pa kontratë, dhe kjo shumë e heq të drejtën sapo nënshkruajnë kontratën pasardhëse. Kjo në fakt bëhet në bashkëpunim me shoqatën e trajnerëve, sipas kuotave që ata derdhin në këtë organizatë.

E fundit, por jo nga rëndësia, është sistemi i gjykimit. Kjo është një temë delikate që nuk lidhet me futbollin në fushë. Lidhet ngushtë me joshjen  e klubeve, parave nën dorë dhe ndoshta në ndonjë rast dhe vetë institucioni ndikon në sjelljen e tyre në moment të caktuara. Besimi ndaj gjyqtarëve ka qenë gjithnjë në rënie dhe me siguri që sidomos për Superioren ofrimi i gjithë klasës së gjyqtarëve për vetë klubet do ishte një arsye më shumë për të ulur paragjykimet.

Fushata e fundit e zgjedhjeve i mësoi presidentit gjithashtu diçka që ai jo vetëm e ka snobuar, por dhe kundërshtuar me forcë. Punët që ka bërë në të shkuarën ka qenë i painteresuar t’i servirë në publik dhe me të drejtë kur dikujt nuk i thua ç’bën, ai realisht nuk e di ç’bën. Klima jo fort pozitive në popull rreth tij ka qenë e ndikuar edhe nga, le të themi, mungesa e strategjisë për të ndërtuar një marrëdhënie të shëndetshme me opinionin dhe publikun. Për këtë nuk ka përgjegjësi institucionale, por më së shumti personale. Njerëzit duhet dhe duan të dinë gjithçka që ai bën. Në të kundërt, nuk mund të kenë kurrë një vlerësim të qartë për atë çka ky institucion përfaqëson.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image