Sezoni i dështuar? Partizani humbet të gjitha

1

 

Heshtje varri dhe tifozë të revoltuar: Partizani do ta mbyllë sezonin pa objektiva. Klubi fshin çdo koment nga faqja e “Facebook”-ut

Fation Kodra

Humbja e pabesueshme e Partizanit në Kupën e Shqipërisë përballë Laçit dhe eliminimi që pasoi ka sjellë një atmosferë të tensionuar në ambientet e klubit të kuq. Nga burime brenda skuadrës kryeqytetase bëhet me dije se situata ka qenë e qetë, por heshtja ka pllakosur kudo që nga momenti i përfundimit të takimit e deri në kthimin në Tiranë. Qysh para ndeshjes i përfol se Partizani mund të toleronte në Kupën e Shqipërisë por pakkush e besoj që të kuqtë do të lëshonin fitoren 2-0 të ndeshjes së parë për t’u mundur me rezultatin 3-0. Por shumë të tensionuar kanë qenë tifozët e Partizanit që nuk e kanë kapërdirë dot këtë “tradhti” të skuadrës dhe pritet të dalin me një qëndrim të përbashkët shumë shpejt në lidhje me këtë çështje.

Sinjalet – Në fakt, po t’i hedhësh një sy të kujdesshëm mënyrës se si u përgatit kjo ndeshja nga klubi i kuq kuptohet qartë se Partizani ishte i prirur për të hequr dorë nga ky kompeticion. U tha se të paktën katër titullarë ishin të dëmtuar, por në fakt gjithçka është e dyshimtë, pasi lojtarët në fjalë nuk kanë probleme dhe do të aktivizohen normalisht në ndeshjen e ardhshme. Asnjë deklaratë për këtë ndeshje, ndërkohë që në faqen zyrtare të klubit në “Facebook” nuk ka pasur as edhe një postim që njoftonte në lidhje me këtë takim. Diçka krejt e pazakontë, kur kemi parasysh se të kuqtë kanë një staf të tërë që punon për aspektin mediatik dhe janë tepër aktive në rrjetet sociale, duke pasqyruar aty edhe aktivitetet e moshave madje. Jo vetëm kaq, por klubi ka censuruar komentet që kanë vërshuar në faqe pas ndeshjes nga ana e tifozëve. Formacioni i hedhur në fushë nga Duro në Laç, me shumë adoleshentë nga skuadrat e moshave, i vuri kapakun gjithçkaje dhe u kuptua qartë se të kuqtë kishin shkuar për piknik në transfertën kurbinase. Për të mos folur edhe për gjëra të tjera, si për shembull shmangia e konferencës për shtyp nga ana e trajnerit pas ndeshjes.

Dështimi – Pas gjithë kësaj panorame, më i rëndësishëm se gjithçka është fakti se sezoni i Partizanit po shkon drejt dështimit. Pas humbjes së djeshme të kuqtë u eliminuan nga Kupa e Shqipërisë, por të kuqtë janë thuajse jashtë garës për titullin kampion. Humbja me rivalët direkt të Kukësit fundjavën e kaluar i la “demat” 6 pikë larg vendit të parë. Një humbje gjithashtu e përfolur dhe e shoqëruar me polemika

sa i përket paraqitjes së djemve të Duros. Drejtuesit e klubit, që tashmë e dogjën sezonin, do t’u duhet tashmë të përballen me tifozët e revoltuar që kërkojnë një sqarim për gjërat e çuditshme që po ndodhin në klubin e kuq dhe vështirë të pajtohen me këtë situatë. Partizani tashmë ka siguruar një vend në mesin e artë të renditjes, por duket se ka humbur pasurinë më të shtrenjtë… tifozët.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.