Sezoni fantastik i Sitit, Guardiola tenton dy rekordet e “pamundura”!

Pep Guardiola është një nga revolucionarët e futbollit. Spanjolli po drejton Mançester Sitin për sezonin e tretë rresht dhe po zbavitet me futbollin ishullor. 48-vjeçari ka ndërtuar një ekip shumë të fortë, ultra ofensiv dhe djemtë e tij luajnë ashtu siç dëshiron ai.

“Qytetarët” kanë fituar kupën Carabao në këtë sezon. Trofeu i parë u sigurua pas triumfit kundër Çelsit në goditjet e penalltive. Siti është në garë edhe për tre trofetë e tjerë.

Në kampionat kryeson me një pikë më shumë se Liverpuli, në FA Cup do të luajë në finale përballë Uotfordit, ndërsa në Champions do të luftojë fort kundër Totenhemit për një vend në katërshen më të mirë.

Nëse ia del t’i fitojë këto tre kompeticione, Guardiola do të futej në histori. Ai do të bëhej trajneri i parë që fiton katër trofe brenda një sezoni dhe i pari që fiton një tripletë me dy skuadra të ndryshme.

Tripleta e parë u fitua me Barcelonën në sezonin 2008/2009. Leo Mesi me shokë ishin të papërmbajtshëm në atë sezon dhe dhuruan shifra të pabesueshme. Champions Liga u ngrit në qiell në Romë pas fitores 2-0 kundër “Djajve të Kuq” të Fergusonit.

Në qytetin e përjetshëm shënuan Samuel Eto dhe Leo Mesi. Kampionati u fitua me 9 pikë më shumë se Reali i Madridit dhe finalja e Kupës së Mbretit përballë Atletikos së Bilbaos. Atë sezon, Barcelona shënoi 158 gola në 62 ndeshje!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *