Sergio Ramos: Duket si funeral, boll u morëm me llafe

Sergio Ramos këmbëngul se nuk ka probleme dhe përçarje në kampin spanjoll, pas largimit të bujshëm të trajnerit Lopetegui para startit të Kupës së Botës.

Kapiteni i Spanjës është shfaqur në konferencë për shtyp me trajnerin e ri Hierro dhe e ka nisur me një batutë: “Duket sikur jemi në një ceremoni funebre”.

Më pas Ramos u bë serioz: “Kanë qenë ditë delikate, por tani duhet të shohim përpara dhe të përqendrohemi. Duhet të kthejmë faqe, Spanja duhet të qëndrojë mbi çdo emër. Kush më mirë se Fernando Hierro për të zëvendësuar Lopeteguin? Është një nder të jem pranë tij. Njihemi prej kohësh dhe është njeriu ideal. Nuk duhet të ndikojë fare te skuadra ky ndryshim”.

Ramos e pranon se skuadra donte që Lopetegui të qëndronte: “Tani nuk ka më rëndësi, nuk është vendim që na përket ne, sepse na takon të bëjmë gjithçka në fushë. Më mirë të mos flasim më për këtë histori. Nuk ka ndarje në skuadër, duam Kupën e Botës. Duhet të lëmë gjithçka mënjanë, ju siguroj se problemet janë larguar. Sa më shpejt të zbresim në fushë, aq më mirë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *