Serbët habiten, presidenti i Partizanit: Shqiptarë, do t’ua shpërblejmë njësoj!

Duke kujtuar edhe përballjet e kombëtareve dy vite më parë, Partizani i Beogradit priste, ose më saktë mediat serbe, prisnin provokime e ndonjë incident në Shqipëri për klubin e njohur serb.

Presidenti i Partizanit, Milorad Vuçeliç, ka habitur jo pak në Serbi, me deklaratat e tij në lidhje me pritjen në Tiranë e më pas në Elbasan, duke mos pasur asnjë kritikë për shqiptarët, përkundrazi.

“Na pritën shumë ngrohtësisht, ndihemi të sigurt, organizimi është në nivel të shkëlqyer dhe jam i befasuar në mënyrë pozitive. Nga aeroporti deri në hotel udhëtuam pa eskortë dhe gjithçka ishte normale, askush nuk e kishte mendjen te ne”.

“Shqiptarët janë treguar shumë mikpritës, jemi ndier rehat. Më duhet t’i lavdëroj pritësit. Lojtarët nuk kanë lëvizur shumë nga hoteli, por është normale, janë në Shqipëri për ndeshje, jo për shëtitje. Nuk është se na kërkoi njeri të mos dilnim, ishte zgjedhje e jona. Ju gazetarët që jeni në Shqipëri dolët shëtitje në Tiranë dhe nuk hasët ndonjë problem”.

“Që në mbërritjen në Tiranë, jo vetëm që nuk hasëm sjellje armiqësore, por njerëzit që takuam ishim shumë miqësorë, mikpritës dhe jam i impresionuar”.

Vuçeliç premton të njëjtën pritje në Serbi: “Partizani do të bëjë gjithçka që Skënderbeu të ndihet në Beograd ashtu si ne në Tiranë. Kjo vlen jo vetëm për klubin, sepse jam i sigurt që edhe shteti serb do të bëjë gjithçka si duhet”.

Presidenti serb e ka edhe me tifozët: “Shpresoj që tifozët tanë të dëgjojnë atë që po them, ashtu si dhe të lexojnë ato që do thonë njerëzit e tjerë që janë me ne në Shqipëri. Nuk e di ç’do të ndodhë gjatë ndeshjes, por pres organizim perfekt edhe në stadium. Besoj se njerëzit tanë do ta kuptojnë se sporti është diçka që bashkon njerëzit. Nuk mund të jetojmë në konflikt, duhet të bashkëjetojmë në Ballkan. Shpresoj që njerëzit në Beograd të tregojnë që jemi mikpritës të mirë. Do ta shpërblejmë njësoj mikpritjen shqiptare, nëse ndodh ndryshe do të jetë e sikletshme dhe e turpshme për ne”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *