Sentamu ia hedh paq, një ndeshje pezullim

Sulmuesi i Tiranës, Junus Sentamu dënohet me një ndeshje pezullim. Lajmi konfirmohet nga klubi bardheblu. Kështu, komisioni disiplinor i UEFA-s, i mbledhur më 7 korrik ka ndëshkuar sulmuesin e Tiranës vetëm me një takim pezullim, për atë që bëri në sfidën e kthimit të turit të parë të Europa Leagues ndaj Makabit të Tel- Avivit. Sentamu do të ndëshkohet edhe nga klubi Tirana.

Edhe pse nuk është zyrtare, lojtari afrikan do të ketë një gjobë të majme nga klubi për gjestin anti-sportiv. Presidenti Refik Halili ishte shumë i mërzitur për gjestin e Sentamus dhe besohet se ai do të ndëshkohet. Në fakt, Sentamu u ndëshkua me karton të kuq në sfidën me Makabi Tel-Avivin. Shumë në stadium nuk e kuptuan përse u përjashtua Junus Sentamu me karton të kuq. Por në fund gjithçka u qartësua. Lojtari i Tiranës goditi me shkelm nga mbrapa Tal Ben Haimin. Në fakt anësori ka dashur ta falë, por izraeliti qëndroi i shtrirë në fushë dhe në fund anësori u detyrua që të sinjalizonte goditjen e Sentamus.

Kartoni i kuq për afrikanin ishte mëse i merituar. Parashikohej një pezullim më i gjatë për të, por sulmuesi nga Uganda do të mungojë vetëm në një ndeshje. Shansi i vetëm nëse Sentamu qëndron te Tirana për një kohë të gjatë për ta shlyer dënimin sezonin e ardhshëm është që bardheblutë të fitojnë sërish Kupën e Shqipërisë dhe të kualifikohen në kompeticionet europiane, pasi në sezonin e ri Tirana do të luajë për herë të parë në histori në Kategorinë e Parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *