Senad Gashi: Kam mësuar nga gabimet, e mund Çizorën

0

Boksieri shqiptar Senad Gashi do të ndeshet më datë 20 prill me një emër të njohur të botës së boksit si Derek Çizora.

28-vjeçari nga Peja ka një rekord prej 17 fitoresh dhe dy humbjesh. Është për t’u vlerësuar fakti se të 17-ta fitoret e Gashit kanë ardhur me nokaut. Në një intervistë për portalin gjerman “Boxen1.com”, ai shpjegoi arsyet e humbjes ndaj Karlos Takam, ndërsa premtoi se kësaj radhe është i përgatitur për të mundur një emër të madh si Derek Çizora.

“Kisha vetëm tri ditë kohë për t’u përballur me Karlos Takam. Nëse do kisha rreth 6 javë kohë për t’u përgatitur, jam i bindur se do fitoja. Luftova thjesht me anë të instinktit, në fund më mungoi gjendja e duhur fizike për një duel me 10 raunde. Një strategji e gabuar ishte dhe fakti që udhëtova pa trajnerin tim”.

“Çizora është një boksier me eksperiencë që i ka parë të gjitha. Këtë lloj kundërshtari nuk ke se si ta surprizosh. Në dy duelet e fundit ka treguar një formë të shkëlqyer. Jam i sigurt se shikuesit do të dëfrehen nga kjo përballje”.

“Jam i bindur se mund të fitoj. Kësaj radhe i kam bërë “detyrat e shtëpisë”. E kam parë disa herë raundin e 11-të të duelit të tij me Uajt. Jam i bindur se dhe unë mund ta nxjerr nokaut atë”, përfundoi Gashi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.