Selmani dhe Laçi i frikshëm: Nuk e mendonim se do shkonim kaq lart

Laçi i shkoi shumë pranë rënies nga Superiorja sezonin e shkuar, por Pashka Laska kreu një mrekulli të vogël në janar e tutje, me disa përforcime të zgjuara dhe afrimin e një mjeshtri si Stavri Nica. Kur shpëtoi, mori frymë thellë dhe vendosi të bënte skuadër ndryshe. Lojtarë të rinj, të talentuar, disa pika kyçe dhe asnjë eksperiment, duke mos lënë asgjë për në fund të gushtit.

E nisi me Nicën, por më pas Laska bëri “bingo” me Gentian Mezanin, sepse vlonjati po bë një punë të shkëlqyer, duke konfirmuar se është trajneri ideal për një skuadër mbushur me të rinj dhe që nuk ka detyrimin të luftojë për kreun.

E nisën për mbijetesë në Laç, përtej deklaratave të fasadës, por pak nga pak kurbinasit  kuptuan që shumica e rivalëve nuk janë aspak superiorë, përkundrazi. Tashmë Europa është kthyer në synim madhor dhe nuk shihet më fundi i tabelës. Një ndër liderët e këtij Laçi të frikshëm është portieri Gentian Selmani, kapiten në moshën 19-vjeçare. I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, Selmani e pranon se “fluturimi” i Laçit ka habitur edhe vetë lojtarët: “Askush prej nesh nuk e mendonte se do të arrinim kaq lart dhe do të merrnim kaq shumë pikë, edhe presidenti nuk na lejon që të mendojmë për Europën. Marrim çdo ndeshje me radhë, pa vendosur objektiva afatgjatë”.

“Në aspektin personal mendoj se kam bërë një sezon të mirë. Edhe skuadra më ka ndihmuar shumë. Fitorja kundër Vllaznisë ka ardhur në momentin e duhur, sepse vinim pas një momenti jo të mirë për sa u përket ndeshjeve në shtëpi”

“Kur humbasim, normale që jemi të mërzitur. Ndonjëherë presidenti nuk vjen fare, por edhe kur vjen sigurisht që na qorton, si çdo president që kërkon nga skuadra. Kur fitojmë na përgëzon, por edhe nga shpërblen me ndonjë premio”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *