Selimaj-Baze, dopietat që nderuan Egnatian

Fatmir Efica

Pak çaste para se të niste stërvitja e djeshme kemi pasur mundësinë të marrim prononcimet e dy futbollistëve të Egnatias që në takimin e fundit që skuadra rrogozhinase fitoi në Kavajë 5-1 ndaj Besës, ishin protagonistë të asaj fitoreje të bukur. Dy të përbashkëta nënvizuan të dy lojtarët që kanë folur posaçërisht për “Sport Ekspres”. E para që, veçmas pas fitores së bukur në Kavajë Egnatian askush të mos e quaj më skuadër “të vogël”. Dhe e dyta që është një apel për ekipin që do të mbajë të “salduar” fort në psikologjinë e vet, distancimin nga euforia. Ja rrëfimet konkrete që dhanë dje dy mesfushorët rrogozhinas:

ANDI SELIMAJ (mesfushor): “Kur humbëm ndaj Besëlidhjes, ai moment që pas asaj ndeshje deri te fitorja në Kavajë pati përjetime vërtetë të plota në lidhje me reagimin tonë shembullor në takimin ndaj Besës. Fituam me lojë të bukur dhe me gola po të tillë. Të gjithë e panë se Egnatia nuk “vodhi” asgjë. E merituam plotësisht suksesin falë frymës kolektive dhe mbi të gjitha të bashkëveprimit shumë të mirë që patën futbollistët njëri me tjetrin. Ky stil i rrjedhshëm loje, zotërimi i hapësirave, qarkullimi më i mirë dhe më i saktë i topit se sa kundërshtarët tanë, dalja shpejt në sulm dhe goditja e portës kavajase nga pozicione të ndryshme brenda e jashtë zonës, mendoj se ishin ndër elementët themelor që na dhanë atë fitore thuajse me përmasa historike. Them kështu sepse suksesi në i dytë në transfertë ne pas Dinamos 2-0 është marrë ndaj një skuadre të fortë e me shumë tradita si Besa e Kavajës. Koha e festimeve për fitoren mbaroi dhe ajo që na preokupon është paraqitja po aq mirë sa dhe në Kavajë në takimin e së shtunës në Rrogozhinë përballë Erzenit”.

ORKELAIN BAZE (mesfushor): “Jam bërë pjesë e Egnatias vetëm në javën e fundit që do të niste ky sezon. Kam gjetur një grup fantastik dhe nuk jam bërë “pishman” që lashë Lushnjen e vendlindjes që këtë sezon luan në Kategorinë Superiore dhe jam këtu në Rrogozhinë, ku shoh se ajo konkurrencë sportive që ka aktualisht na ka dhënë një shtysë të madhe në përgatitjen e përgjithshme në çdo komponent. Disa prej futbollistëve i kam njohur edhe më parë dhe kjo më ka ndihmuar të përshtatem shpejt. Golat në Kavajë?!. Të jem i sinqertë nuk i kisha menduar. Por më besoni nuk erdhën dhe aq rastësisht. Loja rrodhi shumë pozitivisht në favorin tonë dhe për mua që luaj si mesfushor, në këtë repart që është ndërlidhës e gjithçkaje, u krijuan rrethanat e duhura që të merrja një gëzim të dyfishtë. Këtë dygolësh që ia dedikoj edhe familjes sime që më ka mbështetur shumë fort më motivon”, – ka theksuar Baze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *