Sekretit e 34-vjeçarit/ Një Ronaldo që nuk bie kurrë, nga 6 vaktet në ditë te qetësia mendore

Kristiano Ronaldo vazhdon të jetë në formën më të mirë dhe të mos ketë rënie, pavarësisht se është në moshën 34-vjeçare. Një makineri që nuk di të lodhet kurrë, ndërsa shpeshherë lind pyetja: “Ku gjendet sekreti?”.

Në mediat e huaja është zbuluar pak më tepër për dietën që përdor sulmuesi portugez, por njëkohësisht edhe për jetesën e tij. Kryefjala e vendosur nga vetë Ronaldo është padyshim qetësia mendore që duhet të ketë dhe që e fiton te familja dhe miqtë e tij. Po ashtu edhe gjumi është një hallkë e rëndësishme, po aqsa stërvitja.

“Gjumi i duhur është vërtet i rëndësishëm për të përfituar sa më shumë nga stërvitja. Unë shkoj në shtrat herët dhe zgjohem herët, veçanërisht para ndeshjeve. Gjumi i ndihmon muskujt të rikuperohen gjë që është me të vërtetë e rëndësishme.

Stërvitja dhe seancat fizike janë më të rëndësishmet, por të jetosh një stil jetese të qetë ju ndihmon të jeni sa më mire fizikisht dhe mendërisht.

Unë e kaloj kohën time të lirë me familjen dhe miqtë, gjë që më mban të qetë dhe në një mendim pozitiv. Forca mendore është po aq e rëndësishme sa forca fizike”, ka thënë Ronaldo.

Sigurisht, alkoli nuk është pirë nga ky lojtar që ka edhe një arsye më tepër për të mbërritur në këtë vendim. Jo vetëm që do të dëmtonte karrierën dhe veten, por babai i tij do të ndërronte jetë nga kjo varësi. Kur flitet për vaktet që konsumon në ditë, atëherë duhet të theksohet se Ronaldo konsumon 6 të tilla:

Mëngjesi: Djath, jogurt pa yndyrë

Dreka e parë: Sallatë dhe pulë

Dreka e dytë: Ushqim i konservuar, ullinj, vezë dhe domate

Shtesë: Fruta të freskët, tost me avokado

Darka e parë: Peshk i freskët dhe sallatë

Darka e dytë: Biftek dhe kallamar