Sekreti i Loris: Çfarë boshllëku pas Botërorit, qëndrova një ditë të plotë në krevat!

Fitimi i Kupës së Botës është një ëndërr e çdo futbollisti dhe të gjithë mendojnë se nuk ka lumturi më të madhe. E vërtetë, por ndodh që më pas të ndjesh një boshllëk të madh dhe të duket sikur nuk ke më fuqi, stimuj e dëshirë për të vazhduar të konkurrosh për objektiva të tjerë.

Kështu i ka ndodhur Hugo Loris, portierit dhe kapitenit të Francës, i cili ngriti në Moskë Kupën e Botës, të dytën në histori për kombëtaren e gjelave. Emocionet dhe lumturia nuk përshkruhen, por 32-vjeçari tregon dhe anën e errët të post-festës së madhe.

Në një prononcim për “Telegraph”, gardiani i Totenhemit shpjegon ndjesinë e përjetuar pas arritjes së madhe. Lodhja psikologjike është e tmerrshme, madje atij i është dashur të qëndrojë një ditë të plotë në krevat për ta marrë veten.

Pas Kupës së Botës, dy tre ditët e ardhshme ke shumë gjëra për të bërë. Janë festimet dhe vizitat zyrtare. Ke detyrime ndaj të gjithëve: vendit, federatës dhe tifozëve. Më pas ndihesh totalisht bosh, mendërisht dhe psikologjikisht. Botërori është një turne i gjatë, që kërkon shumë energji dhe emocione. Mbaj mend që më është dashur të qëndroj për një ditë të tërë në krevat, për ta stakuar pak. Ndihesha krejtësisht bosh. E dija që nuk do të kisha mundësi as të shijoja pushimet, sepse për pak niste sezoni i ri”, sqaron Loris.

Alkooli dhe një gotë më shumë kanë qenë një nga zgjidhjet e momentit dhe portieri e pësoi në gusht, kur u ndalua dhe arrestua nga policia në gjendje të dehur në timon. Megjithatë, lojtari siguron se ka nxjerrë mësime nga ai episod.

Unë jam një tip që mëson shumë nga eksperienca, qoftë ajo pozitive apo negative. Kështu dua ta marr këtë histori. Njeriu mund të mësojë në çdo moshë dhe në çdo moment të jetës. Ndoshta është diçka që do të më ndihmojë në të ardhmen. Boshllëku ka mbetur pak, por te gjithë lojtarët e tjerë dhe jo vetëm tek unë. Ne francezëve na është dashur pak kohë për ta marrë veten, por mendja dhe këmbët janë gati”, përfundon Hugo Loris.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *