Saviçeviç: Ju tregoj forcën e Milanit, CR7 më ka surprizuar! Italia ka një problem madhor

Dejan Saviçeviç ishte një nga lojtarët më të talentuar të viteve ’90. Malazezi fitoi Champions Ligën me Milanin në vitin 1994. Kuqezinjtë e Kapelos shkatërruan Barcelonën e Krujfit 4-0 dhe Saviçeviç shënoi një nga golat më të bukur që janë shënuar ndonjëherë në finale.

Që nga viti 2004 ai mban postin e presidentit të Federatës së Malit të Zi (FSCG), ndërsa mbetet akoma i lidhur me Milanin. Ish-numri 10, i njohur ndryshe dhe me pseudonimin “gjeniu”, ka folur për mediat italiane, duke dhënë mendimin e tij për Milanin, vështirësitë e futbollit italian dhe shkakun e krizës së kombëtares.

MILAN – “Ky është ekip më pëlqen. Po bëjnë mirë në kampionat dhe po luftojnë për një vend në katërshen e parë. Duhet arritur ky objektiv, që do të ishte si fitimi i titullit kampion. Championsit ë ndryshon jetën sot. Maldini dhe Leonardo janë një garanci, e njohin mirë ambientin dhe do të bëjnë zgjedhjet e nevojshme.”

PIATEK-PAKETA – “I pashë në ndeshjen kundër Romës dhe duket qartë se janë dy lojtarë të rëndësishëm, më në fund. Është herët të gjykojmë brazilianin, le ta lëmë të luajë dhe të ambientohet. Nga ana tjetër, Piatekun e shoh të shënojë që nga fillim i sezonit. Impresionuese. Shpresoj që të mos ndalet, por më duket solid dhe serioz.”

GATUZO – “Nuk jam surprizuar nga Rino. Ai po bën një punë të mirë, sepse edhe si lojtar ai ishte një person i rregullt, i cili nuk kishte frikë të stërvitej dhe të punonte. Ekipi dhe loja janë përmirësuar në kohët e fundit. Ai i takon detyra të rikthejë Milanin në nivele të larta.”

“Mendoj se rënia e Milanit nisi me shitjet e Ibrës dhe Tiago Silvës. Gjithçka nisi aty. Është e thjeshtë rruga për t’u rikthyer: duhen blerë lojtarë të mëdhenj, pikë!”

HIGUAIN – “Nuk arrij ta shpjegoj se çfarë ka ndodhur dhe pse Gonzalo nuk u integrua me ekipin. Gjynah për Milanin.”

MBROJTJA – “Kjo është forca e kuqezinjve. Donaruma do të bëhet me siguri Bufoni i ri. Edhe kundër Romës bëri pritje të jashtëzakonshme. Pastaj është Romanjoli, i cili i dhuron qetësi ekipit.”

BERLUSKONI – “Kam biseduar me të në dhjetor dhe me Galianin, i cili më ftoi të shihja një ndeshje të Monzës. Sapo të kthehem në Itali, do të shkoj të takoj Berluskonin.”

SERIE A – “Të gjithë kanë probleme, përveç  Juventusit. Bardhezinjtë do të fitojnë kampionatin dhe do të shkojnë larg në Champions. Do të jetë e vështirë kundër Atletikos, por e di se Juventusi do të kualifikohet. Ata kanë dhe një rival më pak, pasi PSG do e ketë të vështirë pa Nejmarin.”

NEJMAR – “Të gjithë duhet ta vlerësojnë brazilianin, jo vetëm unë. Ai i përket kategorisë së Mesit dhe Ronaldos, edhe pse e pranoj që portugezi më ka befasuar. Nuk mendoja se do të kishte të njëjtën dëshirë për të fituar e sakrifikuar në moshën 34-vjeçare. Ai dëshiron të fitojë gjithçka. Më shumë se një futbollist i madh, ai është një sportist i madh.”

ITALIA – “Mos kualifikimi do të ndodhte herët a vonë. Kriza e Italisë ka ndodhur për shkak të lojtarëve të huaj të padobishëm. Në kohën time luanin më të mirët, por portierët dhe mbrojtësit ishin italianë. Italia ka patur Xhentilen, Kabrinin, Barezin, Maldinin, Kostakurtën, Tasotin, Nestën dhe Bergomin. Ajo kohë ka mbaruar, ndërsa sot Italia ka vetëm një fantazist, Lorenco Insinjen. Janë dhe Keiza me Zaniolon, por nuk mjaftojnë. Janë shumë pak. Interi dhe Juvja kanë nga 2-3 italianë në ekip. Vetëm Milani ka shumë dhe kjo është diçka shumë e mirë për kuqezinjtë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *