Sauthgejt: Ky është shansi i jetës sonë, nuk biem në kurthet e së shkuarës!

Trajneri i Anglisë Geret Sauthgejt e ka të qartë që Anglia ka një mundësi të artë për të shkuar deri në fund të Kupës së Botës, sepse si kurrë më parë ka një short shumë të favorshëm deri në finale.

Pasi kaloi lehtësisht fazën e grupeve, Anglia do të ndeshet sot me Kolumbinë, ndërsa në rast kualifikimi do të përballet në çerekfinale me fituesin e çiftit Suedi-Zvicër.

“Mendoj se jeta të jep gjithnjë një mundësi dhe thjesht duhet ta kapësh, ta shfrytëzosh në maksimum. Ne e kemi thënë që në fillim që nuk duam të jemi për shëtitje në këtë Kupë Bote, duke i lënë gjithçka në dorë fatit. Ne dëshironim të sulmonim gjithnjë dhe ta kërkonim vetë fatin tonë.

“Natyrisht, tani e tutje ndeshjet vendosen nga detaje të vogla dhe e kemi të qartë që sfida të tilla duhet t’i fitojmë patjetër, për të pasur sukses. Jemi përgatitur mirë, e dimë edhe kalendarin, por tani duhet t’i lëmë llafet dhe të dalim në fushë e të fitojmë”.

Prej vitit 2006 Anglia nuk fiton asnjë ndeshje pas fazës së grupeve në Botëror, por trajneri i Anglisë është i bindur se këtë vit do të jetë ndryshe: “Jemi stërvitur si trojanë. Gjithë Anglia na mbështet dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Jemi zhgënjyer shpesh në të shkuarën, por ndonjëherë edhe ne e kemi tepruar, duke krijuar pritshmëri jo realiste. Tani mendoj se jemi më realistë se kurrë dhe duhet ta shijojmë këtë turne, duke e ditur se kemi forcën për të shkuar më tej. E dimë shortin, por nuk biem në kurthet e së shkuarës. Të mendojmë vetëm për Kolumbinë, pastaj të bëhet ç’të bëhet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *