Satonjo drejt Maritimos: S’u përshtata në Shqipëri

Gëzim Beqiri

Vazhdon heshtja e plotë në kampin gjirokastrit, sidomos pas finales së Kupës së Shqipërisë, e cila u fitua nga Tirana. Grumbullimi i Luftëtarit varet nga kthimi i trajnerit Mlladen Milinkoviç nga Serbia. Me përfundimin e sezonit të gjithë futbollistët janë larguar pranë familjeve, përfshi edhe katër futbollistët afrikanë, tre prej tyre në Qipro, andej edhe nga kanë ardhur për të qenë pjesë e Luftëtarit. Të gjithë do të grumbullohen bashkë për fillimin e stërvitjes dhe lëvizjet e mundshme do të kryhen në ditët në vazhdim. Në datën 30 qershor trajnerit Milinkoviç i përfundon kontrata me gjirokastritët dhe do të jetë në dëshirën e tij dhe kompanisë qipriote vazhdimi i kontratës. Nëse qëndron në drejtim të ekipit, atëherë i lind atij e drejta për të bërë lëvizjet e duhura në merkato. Grupit të tanishëm të ekipit do t’i shtohen për stërvitje dhe do të jenë të grumbulluar disa futbollistë nga ekipet e të rinjve. Ka disa futbollistë të talentuar në ekipet e moshave, teksa U17-ta dhe U19-ta këtë sezon u ngjitën në Superiore. Disa prej tyre, Puci, Mahmutaj, Ahmetaj, Zijaji dhe Qyrani janë grumbulluar në fazën përgatitore vitin e kaluar në Antalia të Turqisë dhe janë aktivizuar në ndeshjet e Kupës dhe në takimet miqësore që ka zhvilluar Luftëtari. Në ndeshjet e fundit që ata kanë zhvilluar në Gjirokastër janë vëzhguar nga afër nga vetë trajneri Milinkoviç, që është shprehur me nota pozitive për të ardhmen e tyre.

SATONJO – Mesfushori i Kombëtares së Angolës, Dani Satonjo, ishte afrimi i parë nga jashtë i Luftëtarit verën e shkuar, ndërkohë që me gjirokastritët ai luajti në 15 ndeshje, 12 prej të cilave si titullar. Fantazisti e kishte të vështirë të përshtatej dhe pas janarit nuk u përfshi në listën e bluzinjve dhe për disa kohë u stërvit me gjirokastritët. Por nga Portugalia vjen një lajm që thotë se mesfushori është pranë kalimit te Maritimo, skuadër e elitës së futbollit portugez, gjë që ai e ka pohuar vetë në një deklaratë të dhënë për “Jornal dos Desportos” në Angola, ndërkohë që ka folur edhe për eksperiencën e tij te Luftëtari.“Eksperiencë e bukur, por preferoj kampionat më të rëndësishëm dhe ku të bie më shumë në sy. Përveç kësaj, dua një futboll që më përshtatet më shumë, sepse unë luaj futboll teknik”, ka thënë ndër të tjera 27-vjeçari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *