Sarri: Frikë për Kante, Zhiru do e marr në konsideratë

Ngolo Kante ka një problem në gju dhe është në dyshim të madh për prezencën e tij në finalen e Europa League nesër në Baku. Mesfushori është një nga lojtarët më të mirë të bluve të Londrës dhe mungesa e tij do të peshonte shumë. Trajneri Mauricio Sarri foli sot në konferencën për shtyp dhe u shpreh se mundësitë që Kante të jetë në fushë janë 50-50.

“Nuk e di. Ngolo kishte një problem të vogël në gjurin e tij të shtunën. Nuk është ndonjë dëmtim serioz, por ishin vetëm katër ditë për ta rikuperuar. Po e provojmë. Do e shohim gjëndjen e tij nesër dhe do të vendosim. Për momentin nuk e di. Shancet janë 50-50. Sot është shumë më mirë se dje. Mesfusha është problem për ne. Kemi vetëm tre mesfushorë në tre pozicione të ndryshme. Ngolo është shumë i rëndësishëm. Është i vetmi mesfushor difensiv që kemi. Pa të është problem për ne.”

Trajneri italian tha dhe disa fjalë për mundësinë për të luajtur si titullar Oliver Zhiru. Francezi është golashënuesi më i mirë i kompeticionit. Ka kontribuar mjaft për të ardhur deri këtu dhe e njeh mirë ekipin e Arsenal, pasi ka kaluar një aventurë 6-vjeçare në “Emirates Stadium”. Trajneri thotë se do e konsiderojë sulmuesin kampion bote.

“Para së gjithash, më duhet ta konsideroj atë. Ka luajtur shumë mirë në Europa League dhe ka shënuar mjaft gola. Në këtë kompeticion Oliver ka qenë i rëndësishëm për ne. Do të vendos nesër, por mendoj se do e konsideroj atë”, u shpreh Sarri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *