Sanjol, kundër Bajernit: Kimish s’bëhet si Lahm

0

Xhoshua Kimish nuk duhet “detyruar” të luajë si mbrojtës i djathtë. Ky është mendimi i ish-lojtarit të Bajernit, Uilli Sanjol, i cili deri-diku ka kritikuar klubin bavarez për mënyrën se si e menaxhon të ardhmen e skuadrës. Gjermani, i cili vitin e kaluar u ble nga Shtutgarti për 8 milionë euro, ka disa kohë që përmendet si pasuesi i drejtpërdrejtë i kapitenit Filip Lahm. Kampioni i botës në verë do të varë këpucët në gozhdë dhe deri tani bavarezët raportohet se nuk janë bindur nga asnjë mbrojtës i djathtë në kontinent (burimi: “Kicker”). Dy drejtuesit e klubit, presidenti Uli Hënes dhe shefi ekzekutiv Karl-Hainc Rumenige, njëzëri janë shprehur se Kimish mund të përshtatet në krah,  edhe pse roli i tij natyral është si mesfushor. Në fakt, diçka e tillë ka ndodhur që vitin e kaluar në Kampionatin Evropian të Francës, ku 21-vjeçari u përdor nga trajneri Joakim Lëv si mbrojtës i djathtë me Gjermaninë.

Deklarata

Sanjol, i cili ka luajtur në Mynih në periudhën 2000-2009, mendon se Bajerni nuk duhet të sakrifikojë talentin e vet, gjë që më parë e ka bërë me David Alabën që në vitin 2012.  “Një mbrojtës krahu në radhë të parë është mbrojtës dhe Kimish ka treguar mangësi në dyluftime në sezonin e kaluar”, – u shpreh së fundmi francezi. “Për mua, ai ka më shumë potencial si mesfushor qendre. Bajerni është një skuadër shumë mbizotëruese dhe mbrojtësit gjenden shpesh në duele tek për tek. Kjo kërkon përvojë dhe Kimish nuk e ka”, – është shprehur Sagnol.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here