Samuel Nikaj rinis misionin “ngjitje në Superligë”, firmos sërish në Kosovë

Vjet ngjiti Flamurtarin e Prishtinës në Superligën e Kosovës, sivjet ngjiti Kastriotin e Krujës: Samuel Nikaj është kthyer tashmë në një specialist ngjitjesh dhe në Kosovë e çmojnë shumë. Për këtë arsye, trajneri shkodran ka vendosur të pranojë ofertën e Vushtrrisë, që e ka rikthyer në Kosovë.

Sërish misioni është ngjitje në Superiore, sepse Vushtrria këtë maj nuk pati fat: pasi shkoi në play-off, aty u mund me penallti pikërisht nga Flamurtari i Prishtinës.

Tani Vushtrria ka mbajtur shumë nga titullarët e sezonit të shkuar dhe ka zyrtarizuar marrëveshjen me Nikajn.

Ky i fundit ka postuar një mesazh në Facebook: “Që nga sot zyrtarisht jam kryetrajner i FC VUSHTRIA. Nga eksperienca ime në Kosove kam kuptuar se Vushtria është qyteti më futbolldashës i gjithë trevave shqiptare dhe një qytet i talenteve të mëdhenj, prandaj jam krenar që jam pjesë e këtij ekipi dhe i falënderoj të gjithë ata që bënë të mundur këtë bashkëpunim. Besoj që me një bashkëpunim të mirë kryesi – staf – futbollistë, si dhe me lojtarin e 12-të me të mirë në Kosovë, tifogrupin FORCA, do e kthejmë ekipin aty ku e ka vendin, në elitën e futbollit kosovar. Kush nuk kcen e kush nuk knon, nuk ka vend ne stadion. FORCA FC VUSHTRIA…”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *