Salihi tregon për formacionin: Ishte Roshi, por vendosëm në fund për Veselin

Formacioni zyrtar i Shqipërisë është publikuar për ndeshjen me Turqinë. I vetmi ndryshim nga ajo që pritej, ishte aktivizimi i Veselit në vendin e Roshit.

Hamdi Salihi, që është pjesa e stafit të Rejës te Kombëtarja, ka treguar më tepër në lidhje me këtë skemë. Gjithçka vjen për faktin se Turqia do të sulmojë me shumë lojtarë dhe kërkohet më tepër siguri në prapavijë.

“Jemi munduar që të mbajmë të njëjtin formacion si me Islandën. Në momentin e fundit ishte Veseli që hyri në vendin e Roshit. Në lidhje me këtë ndikon edhe skema e kundërshtarit. Ata do të luajnë me tre sulmues dhe do të kërkojnë më tepër pjesën sulmuese. Na duhej më tepër siguri në prapavijë.

Të qetësojmë njëherë lojën dhe pastaj të shohim pjesën e dytë. Pastaj Lenjani del më tepër në krahë dhe nuk e kemi luksin të luajmë në këtë mënyrë dhe Veseli mban disi ekulibirat. Kumbulla na ka ardhur me një dëmtim në shpatull dhe nuk ia doli që të rikuperohej brenda kohës. Gjithsesi nuk është ndonjë dëmtim i madh”, ka thënë Salihi. /Sport Ekspres/