Salihi-Pejiç, hija që rëndon dhe sot

Jurgen Zela

Pero Pejiç dhe Hamdi Salihi, ose ndryshe “një thes me gola”. Kroati Pejiç dhe shkodrani Salihi ishin pa dyshim “makineri” golash. Sezonin e shkuar, Superiorja kishte mundësinë që t’i gëzohej realizimeve të tyre të panumërta, ndërsa këtë edicion si skuadrat ashtu dhe sportdashësit janë në kërkim të goleadorëve të rinj.

Ali Soue dhe Rauf Alijev janë dy emrat të cilët kanë marrë statusin e kandidatëve për të pasuar dy “bomberat” e vjetshëm, por deri më tani nuk po gjejnë dot ritmin e plotë. Soue ka nisur të bëjë mirë, teksa e ka provuar shijen e golit, por ka treguar dhe një lojë të kënaqshme, ndërsa azeri i Kukësit është mjaftuar vetëm me një traversë në Superkupë, por dhe protagonizmin në golat e Kukësit pa mundur që të festojë rrjetën e parë shqiptare.

Soue dhe Alijev pa dyshim është një duel simpatik në supersfidën e javës së katërt, ku pa diskutim do të synohet që nga statusi i kandidatit të marrë statusin e liderit. E vështirë kur kujton se kë duhet të pasojnë. Si Salihi dhe Pejiç kanë luajtur për të fundit herë në Kukës së bashku. Shkodrani u largua duke grisur një karton të kuq, ndërsa Pejiç pas një 11-metërshi shumë milion eurosh. Ndoshta meritonin më shumë, por sot kuptohet që mungesa e tyre ndjehet dhe në Kukës ende i gëzohen dygolëshit që i dha titullin, ndërsa korçarët me nostalgji kujtojnë golat e nxjerrë nga hiçi të Salihit.

Soue dhe Alijev janë të destinuar për të qenë lider, por kanë shumë punë për të bërë nëse duan që të heqin hijen e së shkuarës, së paku duhet të bëjnë sa paraardhësit e tyre.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *