Sakaj para sfidës me Egnatian: Duhet kujdes, përgjysmimi i pikëve i rrezikshëm!

Java e 15-të e Kategorisë së Parë, në Grupin B ofron një përballje interesante, ku të dyja skuadrat do të luajnë në transfertë. Kjo është ndeshja Egnatia-Orikumi, e cila sot luhet në stadiumin e Peqinit, një transfertë e dyfishtë që trajneri i Orikumit, Artan Sakaj e quan një rrethanë lehtësuese për skuadrën e tij, por sfidë të vështirë. Ndërsa përgjysmimin e pikëve në fazën e tretë Sakaj e quan të rrezikshëm për të gjitha skuadrat në Kategorinë e Parë.

Për SportEkspres.com, vlonjati deklaron se çdo kundërshtar është i fortë, pavarësisht ku luhet ndeshja dhe renditjes që kanë në tabelë. “Transferta jonë në Peqin ndaj Egnatias mund të quhet e dyfishtë për të dyja skuadrat, e kështu mund të duket edhe një rrethanë lehtësuese për ne. Pavarësisht fushës ku luhen ndeshjet, apo edhe renditjes që kanë skuadrat, të gjitha përballjet janë të barabarta për nga rëndësia e synimi”, kështu deklaron trajneri Sakaj një ditë para sfidës me Egnatian.

Përgjysmimi i pikëve në fazën e 3-të për Sakajn duket i rrezikshëm për çdo skuadër, ndërkohë që sot në fushë për Orikumin do të jetë edhe afrimi i merkatos së janarit, Aldo Mitraj. “Faza e tretë i përgjysmon pikët, dhe kjo duket e rrezikshme në kuptimin sportiv për çdo skuadër. Gjithsesi, ne do bëjmë maksimumin tonë që të ngjitemi në pesë skuadrat e para të Grupit B. Ndaj Egnatias në fushë do të kemi edhe lojtarin me përvojë Aldo Mitraj”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *