Saga e mbiemrit Turam, 17-vjeçari Kefren debuton në Champions

Diçka më pak se gjysmë orë në fushën e lojës. Koha e mjaftueshme për të shkruar emrin e tij në Champions League, kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Djaloshi që debutoi me fanellën e Monako quhet Kefren Turam-Ulien dhe është vetëm 17-vjeçar.

Një emër me kuptim të rëndësishëm dhe një mbiemër mjaft i njohur në botën e futbollit. Emri është në nder të faraonit të dinastisë së katërt egjiptiane, një “dhuratë” nga i ati, që “asnjëherë të mos harrojë se aventura e popujve me ngjyrë nuk ka nisur nga skllavëria”.

Pas nëntë ndeshjeve të luajtura në “Uefa Youth League”, djali i ish-mbrojtësit të Francës, Lilian Turam arriti të debutonte në futbollin e madh me klubin nga Principata. Befasi fakti se Kefren luajti ndeshjen e parë me ekipin në Champions, ndërsa ende nuk ka debutuar në Ligën e Parë franceze.

Trajneri Tierri Henri e aktivizoi për shkak të situatës alarmante me dëmtimet, ku gjatë kësaj periudhe nuk ka në dispozicion plotë 13 futbollistë. Ish-sulmuesi është detyruar të bëjë zgjedhje të guximshme dhe një prej tyre ishte debutimi i djaloshit, në ndeshjen e humbur 2-0 me Atletikon e Madridit, që vulosi eliminimin e Monakosë nga turneu.

Situata favorizoi Kefren, me familjen Turam që vazhdon të prodhojë lojtarë. Ashtu si vëllai më i madh, Markus, sulmuesi i Guinkamp në Francë, i cili në këtë sezon ka realizuar 6 gola në dhjetë ndeshje të luajtura. Ashtu si vëllai tre vjet më i madh, edhe Kefren ka luajtur në Itali, në Rexho Emilia, ndërsa babai Lilian luante me Parmën dhe pak muaj më pas u transferua te Juventusi.

Debutimi erdhi si dhuratë nga Henri, ish-shok ekipi i të atit te Monako, te Barcelona dhe në përfaqësuesen e Francës, në periudhën e artë të “gjelave”, që fituan titullin Botëror në 1998/ën dhe më pas Europianin e vitit 2000. Hapat e parë në karrierë, Kefran i ka hedhur te Barcelona.

Në fushë nuk i ngjan aspak babait Lilian apo vëllait Markus. Djaloshi luan përpara mbrojtjes, admiron Pol Pogba dhe idhulli i tij i fëmijërisë është Patrik Vieira: gjigandi i mesfushës përkrah të cilit i ati ka luajtur dhe që ndër vite i ka treguar histori të bukura. Dinastia Turam po shkruan faqe të reja të historisë në Francë, e tashmë edhe në Europë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *