Safet Gjici, trego “muskujt”! Thirrja e Olsi Teqjas dhe topi që hidhet në të dy anët: Ku është Kukësi?

Me emrat e frikshëm të afruar në merkato dhe treshen që pretendohej të ishte më e mira dhe që do të shkaktonte panik për çdo kundërshtar, Kukësi hyri si favoriti kryesor për Superioren. Gavazaj, Abazaj dhe Shkurtaj janë mëse të mjaftueshëm në kampionatin shqiptar, të paktën si emra dhe të shkuarën.

Por në fushë rezulton se Nabueze, njeriu që i dha fitoren Laçit ndaj Kukësit, ka shënuar vetëm 2 gola më pak se gjithë ekipi i verilindorëve të mbledhura bashkë në këto javë të kampionatit. Të ndodhur në këtë situatë të Superiores, është krijuar një alibi e re për arbitrat.

Olsi Teqja ka kërkuar menjëherë ndihmën e presidentit Gjicit në përfundimin e ndeshjes: “Safet Gjici duhet të tregojë fuqinë e tij. E kam si apel për të pasi po dënohemi nga vendimet e arbitrave”. Por si mund t’i përgjigjet presidenti i Kukësit kësaj thirrje?

“Unë fjalën time e kam thënë në merkato, tani pyesni lojtarëve”, është mënyra sesi Gjici ka reaguar gjithmonë gjatë këtyre kohëve pas një dështimi në rezultat nga ana e Kukësit. Madje me shumë të drejtë pasi pavarësisht elementeve të sjellë në merkato, është e vështirë që në këto 12 javë të Superiores të gjesh vetëm 2 fitore radhazi nga ana e Kukësit. Në mënyrë disi të habitshme vjen ky reagim duke i kërkuar Gjicit një ndihmë “mbinjërëzore”, ndërsa “muskujt” nuk po i tregojnë ende protagonistët në fushë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *