Sadiku: Luajmë një finale, fitorja fshin gjithçka

Armando Sadiku nuk e konsideron një dramë faktin se kombëtarja vjen nga 5 humbje rresht. Sulmuesi i Luganos në Zvicër e pranon se është një moment negativ, por nga ana tjetër thekson se humbjet ndaj Italisë e Spanjës kanë qenë normale dhe problem përbën vetëm humbja në Elbasan kundër Izraelit. Megjithatë, Sadiku është i bindur se gjithçka do të ndryshojë në rast suksesi në Izrael.

A mund të luani bashkë në sulm me Cikalleshin?

Kemi provuar, kemi luajtur në disa ndeshje dhe biles kemi shënuar, si ndaj Gjeorgjisë, apo Cikalleshi kundër Luksemburgut para Europianit. Për mua është shumë mirë ta kem një si Cikalleshi në krah, sepse edhe lodhja ime është më e vogël dhe puna ndahet. Megjithatë, normalisht vendos trajneri dhe në ndeshje me rivalë mjaft të fortë nuk e kemi luksin të luajmë me dy sulmues. Natyrisht, do ishte kënaqësi të luanim bashkë në sulm.

Skema më e përshtatshme, 4-4-2 apo 4-5-1?

Skemat i përcakton trajneri, nuk kemi licencë që të flasim me kompetenca për skemat. Trajneri vendos listën dhe skemat, ne bëjmë detyrën, duke qenë gati sa herë na thërret vendi ynë.

Dëmtimi në kokë, gjithçka në rregull?

Pësova një goditje në kokë, në një duel me Kukelin. Pësova një të çarë në kokë, por tani është gjithçka në rregull, uroj mos të mbetet shenjë.

E nisëm mirë edicionin, me dy fitore, por më pas gjithçka ka ecur keq. Pse?

Në fakt, shorti ka qenë shumë i vështirë. Mund të kishim bërë më mirë, por nuk di c’të them për ndeshjen kundër Spanjës, na mposhti në çdo drejtim dhe ishin më të fortë. Edhe me Italinë patëm shanse për të shënuar të parët, nuk e bëmë dhe pastaj ata na shënuan me penallti. Pengu i vetëm është Izraeli, që të gjithë e dimë si na mundën, me penalltitë e kartonët e kuq. Nuk na eci mbarë, por nuk ka vend për alarm të madh, sikur çfarë ka ndodhur.

A ka pasur eufori të tepruar pas Europianit? Tani po shënojmë me vuajtje dhe mbi të gjitha po pësojmë shumë.

Ndoshta është e vërtetë. Ne u mblodhëm pas Luksemburgut dhe kemi biseduar në lidhje me situatën e krijuar. Nuk mund të pranojmë një humbje ndaj Luksemburgut, jemi një skuadër që ka luajtur në Europian dhe ndoshta nuk kemi dhënë maksimumin, duke u relaksuar disi pas Europianit. Ndeshja kundër Izraelit është një rast i shkëlqyer për të bërë kthesën e për të gjetur rezultatet pozitive. Na kanë mundur 3 rivalë të fortë në grup, ndërsa miqësoret janë më shumë prova dhe nuk është fundi i botës të humbasim. Kundër Izraelit pati episode që shkuan kundër nesh, ajo ishte ndeshja që nuk duhej ta humbnim.

A është ndeshja në Izrael si finalja e sezonit dhe a ka ky grup motivimin për të marrë rezultat pozitiv?

Po, për ne është si një finale, duhet të japim gjithçka për të fituar dhe pastaj të nisim sërish një seri pozitive, ashtu si pas Europianit.

A janë kaq të pakualueshëm izraelitët?

Kush tha që janë të pakalueshëm? Kemi kaluar mbrojtës më të fortë se ata, si në Europian, ashtu edhe më parë. Kemi respekt për Izraelin, nuk e kemi frikë. Kemi parë video të tyre, i kemi studiuar ditët e fundit dhe besojmë se mund të fitojmë.

Trajneri De Biazi u shpreh pas humbjes ndaj Luksemburgut se ndoshta nuk ka ç’ti bëjë më këtij grupi dhe e kanë vetë lojtarët në dorë që të dalin nga kjo situatë. Mund ta bëjë këtë gjë, apo duhet një dorë tjetër që t’iu kthejë sërish agresivë?

Ne jemi skuadër e vogël. Pas ndeshjes me Serbinë, ku morëm 3 pikët, aty ndryshoi gjithçka në kombëtare, u rritu entuziazmi, të gjithë i kishin sytë nga ne, ndryshoi gjithë sezoni. Mobilizimi ishte maksimal, luanim në maksimumin e forcave dhe fitonim. Nëse tani shkojmë në Izrael dhe fitojmë, gjithçka do të kthehet përmbys, do të na lavdërojnë e do të harrohen humbjet. Tani synimi ynë ai është: të luajmë një ndeshje të mirë dhe të japim 100%. Nëse e bëjmë, do të marrim pikë. Trajneri ka të drejtë, na takon ne lojtarëve të bëjmë kthesën, sepse trajneri është i njëjti, nuk ka ndryshuar që nga dita e parë e deri tani. De Biazi ka të drejtë të na kritikojë dhe nuk kemi ç’të themi.

Me Luganon në Europa League, apo…?

Nuk e di ende. Jam shumë i kënaqur nga sezoni i fundit. Shkova te Lugano, e gjeta në fundin e tabelës, e nisëm me humbje vitin e ri, ndërsa më pas shumë fitore dhe e mbyllëm të tretët. Jam nën kontratë me Zyrihun, edhe për një vit. Ka shumë fjalë, por ende asgjë konkrete. Duhet të mendoj për kombëtaren fillimisht, ndërsa më pas të shohim, nuk jam në gjendje të jap një përgjigje të saktë.

Zvicra, apo lëvizje prej aty?

Synimi im është të lëviz, por nuk i dihet, nuk varet gjithçka nga unë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *