Sadiku feston mbijetesën nga stoli, heroi është Enis Bardhi

Levante është praktikisht e shpëtuar. Sot skuadra nga Valencia mori një fitore të madhe në Bilbao, 3-1, duke siguruar qëndrimin në La Liga, sepse tashmë Deportivo e Klarens Sedorfit është 9 pikë larg, me 3 ndeshje të mbetura.

Armando Sadiku qëndroi në stol për 90 minuta, duke mbyllur trishtueshëm një sezon ku shpresonte të ishte protagonist, por dështoi te Legia dhe nuk është se ka bërë ndonjë gjë për t’u mbajtur mend në Spanjë, ku ka paguar edhe dëmtimin e rëndë të para disa javëve, apo rotacionin pa fund të Levantes, që ka ndryshuar edhe trajner pak javë më parë.

Sot heroi ishte Enis Bardhi, sepse mesfushori shqiptar i kombëtares së Maqedonisë përmbysi avantazhin e Bilbaos me 2 gola në 2 minuta në fundin e pjesës së parë. E pabesueshme, të dy golat u shënuan me goditje dënimi, të dy në pozicion identik, në të djathtë të sulmit. Mesfushori është kthyer fenomenal, ashtu si në fillim të sezonit, ndërsa Levante më në fund buzëqesh, misioni u përmbush.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *