Sa keq që ishte miqësore!

0

 

Koment nga Andi TANKU

Fitorja e fundit e Kombëtares sonë ndaj Francës, sigurisht që do të zërë një vend të rëndësishëm në një nga faqet e historisë së futbollit shqiptar. Edhe pse në kuadrin e një ndeshjeje miqësore, sërish ka një vlerë të madhe, pasi nuk ndodh shpesh që një ekip modest si i yni të “eklipsojë” yje të kalibrit si Pogba, Loris, Evra, Griezman e Zhirud, madje ky ishte suksesi i parë i kuqezinjve përballë “gjelave” në të gjitha përballjet ndaj tyre. Me të drejtë edhe në mbrëmjen e së shtunës, skuadra jonë përfaqësuese na bëri të “fluturojmë” për të disatën herë krenarë, madje jo vetëm në qiellin kuqezi, por edhe përtej kësaj hapësire. Kjo pas lëvdatave të shtypit të huaj, i cili i bëri një jehonë të madhe suksesit të djemve të drejtuar nga De Biazi.

 

E pra, edhe pse miqësore, ajo ndaj Francës ka përmirësuar edhe më tepër imazhin e skuadrës sonë Kombëtare, e cila nuk shihet dhe as cilësohet më si “kundërshtari që nuk i hap punë askujt”. Për këtë mjafton të pyesim se si ndihen “gjelat” pas kthimit në “kotecin” e tyre, ku mediet e vendit transalpin i “bën për ujë të ftohtë”. Kjo, edhe pse ishte thjesht një miqësore! Një test që gjithsesi përveç imazhit më tepër se pozitiv që iu ka dhënë kuqezinjve ka edhe vlera statistikore. Suksesi ndaj Francës tashmë na dërgoi në vazon e tretë të Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”, pasi ky triumf shtoi pikët e Shqipërisë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Shumë anë pozitive, edhe pse gjithnjë ka një “por”.

 

Pas suksesit ndaj Francës jemi ankuar dhe kemi filluar, pse jo me të drejtë të “qahemi”, për faktin që sa keq që kjo ishte thjesht një ndeshje miqësore. Një frazë të cilën as që na shkonte nëpër mend se do ta mendonim pasi u përcaktua shorti i Eliminatoreve të “Euro 2016”. Në atë kohë, të gjithë me të drejtë “fërkuam duart” dhe me frymëmarrje të çliruar thamë njëzëri: “Sa mirë që ndaj Francës është thjesht miqësore”. Por sot jo, për Shqipërinë që praktikisht i ka marrë 4 pikë “gjelave” në dy përballjet e fundit, edhe pse me një arsyetim hipotetik mund të thuhej se vendi i tretë në Grupin i as që do ta shihnim me kërshëri, por do të synohej të mbahej pozicioni i dytë. E pra sa keq që ishte thjesht një miqësore, jo vetëm për këtë, por edhe për faktin se thjesht ky emërtim bëri që edhe atmosfera në Elbasan para sfidës të linte përshtypje për faktin se sa vakët u prit kjo përballje, thjesht se ishte një takim testues. A thua se Franca vjen sërish për 1 muaj! E pra, sa keq që edhe për këtë arsye, ajo ndaj përfaqësueses “tricolor” ishte një miqësore!

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image