“Sa emocione te vizitat, mbyll me nder misionin te Luftëtari”

Futbolli shqiptar mund të buzëqeshë, sepse pas gjithë lajmeve të hidhura të kohëve të fundit, ka sërish jetë dhe transferimi i Kristal Abazajt është një goditje shumë e madhe, për të gjithë, jo vetëm për Luftëtarin, apo për Skënderbeun.

Një lëvizje e realizuar nga menaxheri Shkumbin Qormemeti dhe drejtori sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç, të cilët po tregojnë se janë mjeshtër të merkatos. Drejtuesit e Skënderbeut janë treguar shumë të zgjuar, që bashkëpunojnë me ta. Abazaj ka firmosur krejt papritur një kontratë 3-vjeçare, me një opsion për rinovim të mëtejshëm.

Është aventura e parë jashtë Shqipërie për talentin e Kombëtares, i cili ka qenë fantastik te Luftëtari. Vetë Abazaj deklaroi shkurt për faqen zyrtare të Anderlehtit: “Është një klub i madh në Europë, shumë i njohur edhe në Shqipëri. Jam shumë i lumtur që do të kem mundësi të rritem dhe të zhvillohem në një klub kaq të madh dhe pres me padurim të bashkohem me skuadrën”.

Sakaq, duke folur për “Sport Ekspres”, ai tha: “Jam ende në një ëndërr, nuk e besoj që po ndodh… Gjithçka ishte e shpejtë, e papritur për mua. Kisha emocione te vizitat mjekësore, por shyqyr gjërat shkuan mirë. Hap i madh në karrierë, dua të bëj më të mirën time. Falënderoj Luftëtarin, por kthehem të mbyll misionin tim me nder deri në fund!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *