Rusi Khacukov dhe Dyca nisin provën te Lushnja

Mbrojtësi Memini zyrtarizohet si afrim i myzeqarëve, të cilët po testojnë këto ditë shumë lojtarë, të cilët duan të veshin fanellën verdhejeshile 

Arjan Likja 

Rexhep Memini është përfundimisht pjesë e Lushnjës për gjysmën e mbetur të këtij kampionati. Dje paradite, mbrojtësi durrsak, që vjen nga kampionët në fuqi të Kukësit, ka gjetur akordin financiar me zyrtarët e klubit lushnjar dhe pasdite është vënë nën urdhrat e trajnerit Hysen Dedja, duke zhvilluar edhe seancën  e parë stërvitore me verdhejeshilët. Memini tashmë mund të konsiderohet pjesë e Lushnjës. Dje i janë bashkuar ekipi lushnjar edhe korçari Osmanllari dhe sulmuesi lezhjan Përgjini. I pari vjen nga Korabi dhe do të jetë në provë, ashtu si dhe futbollisti lezhjan, që vjen nga Luftëtari.

KHACUKOV-DYCA – Por dje me Lushnjën kanë nisur provën edhe dy futbollistë të tjerë, njëri prej të cilëve është i huaj. Bëhet fjalë për mesfushorin rus Khasan Khacukov, i cili ka qenë pjesë e Kamzës në gjysmën e parë të sezonit. Lojtari tjetër në provë është sulmuesi shkodran Denis Dyca, që vjen nga Kastrioti. Këta janë lojtarët e rinj që janë bashkuar me grupin e trajnerit Dedja në stërvitjen e pasdites, duke e çuar në 5 numrin e atyre që duan të veshin fanellën e Lushnjës në vazhdim të kampionatit. Stafi teknik ka për detyrë t’i testojë për disa ditë dhe më pas të marrë një vendim përfundimtar, nëse i vlejnë skuadrës apo jo.

Ditët në vazhdim mund të ketë të tjerë futbollistë, që duan të provojnë fatin te Lushnja. Trajneri Hysen Dedja ka thënë para disa ditësh se më 18 janar do të ketë gati grupin, me të cilin do të përballojë gjysmën e dytë të kampionatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *