“Rusi 2018”, një kuriozitet për çdo ekip para startit

0

32 skuadrat pjesëmarrëse në Kupën e Botës kanë zbarkuar në tokën ruse dhe kanë kryer stërvitjet e para në stadiumet e Rusisë. -2 nga starti i Botërorit, ja një listë me kuriozitete, nga një për çdo kombëtare…

Pele – Lojtari i vetëm që e ka fituar tri herë Kupën e Botës është braziliani Pele. Sulmuesi ka triumfuar me “Selecao” në vitet 1958, 1962 dhe 1970.

Rusia – Denis Çerishev dhe Vladimir Gabulov janë lojtarët e vetëm rus që nuk luajnë në kampionatin vendas. Që nga botërori i 2002, Rusia e ka pasur të gjithë lojtarët e grumbulluar në kombëtare nga kampionati vendas.

Arabia Saudite – Abdullah Atif, mesfushori i Arabisë Saudite ka kryer më shumë se 1000 pasime në kampionat gjatë sezonit të shkuar, me një përqindje saktësia të pabesueshme (90.03%)

Egjipt – Kombëtarja e Egjiptit ka në listat e futbollistëve lojtarin më të vjetër në moshë që ka luajtur në një botëror. Gardiani Esam El-Hadari është 45 vjeç dhe 149 ditë.

Tabarez – Tekniku i Uruguait do të marrë pjesë për herë të katërt në një botëror, më shumë se çdo trajner tjetër. (1990, 2010, 2014, 2018)

Ronaldo – “CR7” ishte lojtari më rezultativ në ndeshjet kualifikuese të botërorit. (15 gola dhe 3 asiste)

Aspas – Jago Aspas është sulmuesi më me shumë gola tek skuadra e Spanjës gjatë sezonit 2017-18. Për skuadrën e Selta Vigos, Aspak ka shënuar 22 gola në 34 ndeshje.

Renard – Trajneri i Marokut, Herv Renard do të drejtojë për herë të parë një kombëtare në Kupën e Botës. Renard ka qenë shumë i suksesshëm në Kupën e Afrikës, pasi e ka fituar dy herë këtë kompeticion (Zambia dhe Bregu i Fildishtë)

Iran – Sulmuesi i Iranit, Alireza Jahanbaksh u shpall golashënues në kampionatin holandez (Eredivisie) sezonin e shkuar, pasi arriti të realizojë plot 21 gola.

Franca – “Gjelat” arritën të grumbullonin plot 23 pikë në ndeshjet kualifikuese të Botërorit. Më shumë se në çdo kualifikuese gjatë historisë së tyre.

Australia – Për të siguruar një biletë për në Rusi, Australia ka luajtur 22 ndeshje kualifikuese, më shumë se çdo kombëtare tjetër.

Peru – Kombëtarja e Perusë merr pjesë në një Botëror pas plot 36 vitesh. Për herë të fundit, ata morën pjesë në botërorin e 1982. 36 vitet distancë mes dy Kupave të Botës është distanca më e madhe në të gjitha 32 skuadrat që janë kualifikuar në Rusi.

Eriksen – Ylli i Danimarkës, Kristian Eriksen ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar 3 herë gjatë kualifikuesve të botërorit. Mesfushori i Totenhamit do të jetë lideri i danezëve në botëror.

Mesi – Kapiteni i Argjentinës ka shënuar 7 gola gjatë kualifikuesve “Conmebol” në Amerikën Latine. Asnjë argjentinas nuk ka shënuar më shumë se dy gola në këto ndeshje.

Islandë – Kombëtarja islandeze e futbollit do të marrë pjesë për herë të parë në botëror. Pas surprizës në “Euro 2016”, Islanda shpreson tek një debutim ëndrrash në Kupën e Botës.

Kroaci – Mario Manxukiç ka shënuar 5 gola gjatë kualifikuesve, po nuk ka dhënë asnjë asist për shokët e skuadrës. Asnjë lojtar tjetër nuk ka shënuar kaq shumë gola pa dhënë një pasim për gol. Egoist…

Nigeri – Nigeria është kombëtarja afrikane që ka marrë pjesë më shumë herë në botëror. (1994, 1998, 2002, 2010, 2014, 2018)

Brazil – “Selecao”-t janë kombëtarja e vetme që kanë marrë pjesë në të gjitha botërorët e zhvilluar (duke filluar nga viti 1930). Në Rusi, Brazili merr pjesë për herë të 21 në Kupën e Botës.

Shaqiri – Sulmuesi me origjinë shqiptare është i vetmi lojtari Zvicrës që ka shënuar tri gola në një ndeshje botërori, vetëm me këmbën e majtë. (kundër Honduras, 2014)

Ramirez – Trajneri i Kosta Rikës do të drejtojë për herë të parë në Kupën e Botës. Oskar Ramirez ka luajtur për Kosta Rikën në botërorin e 1990-ës.

Kimish – Mbrojtësi i Gjermanisë, Xhoshua Kimish është lojtari që ka më shumë asiste në kualifikueset e botërorit (8 asiste). I dyti është serbi Tadiç me shtatë.

Gjermani – “Pancerat” kanë arritur gjysmëfinalet në katër kompeticionet e fundit të Kupës së Botës. Po ashtu, Gjermania është renditur e para në grupet e botërorit që nga viti 1990.

Meksikë – Rafael Markez, kapiteni i Meksikës, do të marrë pjesë për herë të pestë në një Kupë Bote, duke barazuar rekordin e Antonio Karbahal.

Suedia – Edhe pse pa Ibrahimoviç, Suedia pritet të bëjë mirë në këtë botëror. Suedezët nuk kanë asnjë humbje në grupet e botërorit (3 fitore, 6 barazime). Humbja e fundit për ta daton në botërorin e 1990.

Kore e Jugut – Ylli i Koresë së Jugut, sulmuesi Son ka shënuar 20 gola me Totenhamin në Premier Ligë. Ai bëhet lojtari korean me më shumë gola gjatë një kampionati për klub. Rekordin e mbante mesfushori i Mançester Junajtid, Park Sung (19 gola).

Panama – Kombëtarja e Panamasë do të marrë pjesë për herë të parë në botëror. Gjithashtu, Panamaja është kombëtarja e vetme që i ka mbyllur kualifikueset me golavarazh negativ (9 gola të shënuar, 10 të pësuar)

Munie – Mbrojtësi i Belgjikës është lojtari i vetëm që është përfshirë në shtatë gola brenda një ndeshjeje (kundër Gjibraltarit, 3 gola 4 asiste)

Tunizi – Kombëtarja e Tunizisë nuk ka fituar një ndeshje në botëror prej më shumë se 40 vitesh (4 barazime, 7 humbje)

Angli – “Tre Luanët” janë kombëtarja që kanë pësuar më pak gola në ndeshjet kualifikuese (10 ndeshje, 3 gola të pësuar)

Kolumbi – Hames Rodrigez ka marrë pjesë në 8 nga 10 golat e fundit të shënuar nga Kolumbia në Botëror (6 gola, 2 asiste)

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.