Rumunët e Botosanit, testi i pare i Skenderbeut!

0

 

Ndeshja e parë testuese në tokën austriake do të zhvillohet nesër, në orën 17:00, ndaj FC Botosanit, skuadër e Superligës rumune

 

Leonard Trebicka

 

Pak orë pas mbërritjes së Skënderbeut në Austri, ku dje ka zhvilluar seancat e para stërvitore, është mësuar kundërshtari i miqësores së parë. Nesër kampionët e Shqipërisë do të ndeshen me rumunët e FC Botosanit në këtë miqësore të parë para ndeshjeve të Championsit. Ekipi rumun ndodhet gjithashtu në Flachau të Austrisë, duke kryer fazën përgatitore, kështu që është arritur akordi për këtë miqësore, që do të luhet nesër, në orën 17:00. Kampionatin e fundit Botosani e mbylli në vend të 8-të, me 47 pikë, duke siguruar një vend në Europa League. Kështu, Josa dhe të tijtë do të kenë një përballje relativisht të vështirë që në miqësoren e parë. Ky test vjen pas dy ditësh stërvitje dhe 4 seancave. Pritet që në këtë ndeshje trajneri Josa të provojë të gjithë futbollistët, madje pritet edhe prezantimi i atyre që sapo kanë hedhur firmën për Skënderbeun. Sipas drejtuesve të klubit kampion, do të zhvillohen 8 miqësore gjatë fazës përgatitore në Austri, pra një ndeshje çdo 3 ditë.

Të shtunën pasdite kampionët mbërritën në Austri dhe u akomoduan në hotel “Alpenhof Flachau”. Dje në mëngjes trajneri Josa ka kryer seancën e parë në kushte vërtet ideale, duke bërë vrapime atletike dhe ushtrime të ndryshme. Pasdite skuadra ka zhvilluar seancën e dytë në fushën pranë hotelit. Me dy stërvitje në ditë kampionët do të vijojnë deri ditën e fundit të qëndrimit në Austri. Për nesër, kur do të luhet miqësorja me Botosanin, nuk dihet, nëse Skënderbeu do të zhvillojë apo jo stërvitje paradite.

LOJTARËT – Problemi i vetëm këto ditë të para të fazës përgatitore mbetet plotësimi i grupit të lojtarëve. Trajneri Josa ende nuk i ka të gjithë në dispozicion. Nuk ka informacion, nëse dje në mbrëmje ka mbërritur apo jo mesfushori brazilian Romulo Kabral, ndërkohë që priteshin edhe Peter e Nimaga. Priten gjithashtu edhe Berisha, Radas apo edhe disa lojtarë të tjerë. Pra, Josa e ka mendjen te grupi, që nuk po mbushet. Në mesjavë pritet që Skënderbeu të jetë i plotë, me 22 lojtarë, por nuk është se gjithçka mbyllet me kaq. Kampionët presin edhe dy përforcime, ku njëri është një sulmues cilësor. Ndoshta ditët në vazhdim do të ketë më shumë detaje për merkaton, por është e sigurt që deri në fundjavë Skënderbeu do të ketë 25 futbollistë. STOKIÇ – Dje ka dalë një tjetër kandidat për të veshur fanellën e Skënderbeut, boshnjaku Jovica Stokiç. Nuk ka ndonjë konfirmim nga ana e drejtuesve të Skënderbeut për këtë lojtar, që mund të jetë një alternativë. Për momentin nuk ka asgjë konkrete në lidhje me këtë lojtar.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here