Rumenige mbron Levandovskin: Në Madrid nën shembullin e Juves

Bajerni i Mynihut ndodhet para një misioni të vështirë në Madrid, teksa i duhet të përmbysë humbjen 1-2 në takimin e vajtjes në Gjermani. Bajerni ka dhënë prova se mund të fitojë në Madrid. E përmbysi Realin në sezonin e kaluar 2-1 në 90 minutat e rregullta për t’u dorëzuar 2-4 në kohën shtesë dhe me një lojtar më pak.

Juventusi – Por bavarezët kanë dhe një shembull të freskët në përpjekjet e tyre për përmbysje, Juventusin – ndonëse kampionët e Italisë nuk ia dolën në fund për shkak të penalltisë së Ronaldos. Për shefin e Bajernit, Karl-Hainc Rumenige, Juventusi është shembulli për t’u kopjuar nga bavarezët në Madrid. “Ne duhet të vëmë mendjen dhe zemrën në fushë. Mendoj se Juventusi është një shembull perfekt se si mund ta vëmë në vështirësi Realin e Madridit”- ka thënë ai.

Mungesat – Edhe në takimin në Madrid, Bajerni zbret me mungesa të shumta. Roben, Boateng, Noier, Koman e Vidal nuk do të jenë, teksa rikthimi i vetëm është ai i Alaba. “Kemi mungesa, por nuk mund të ndryshojmë asgjë. Nuk duhet të ankohemi, sepse kemi në përbërje lojtarë në gjendje të zëvendësojnë ata që do të mungojnë. Rëndësi ka që kushdo të zbresë në fushë të bëjë më të mirën.”

Në mbrojtje të Levës – Këto ditë në Mynih është folur shumë për një ulje në stol të Levandovskit për problem disiplinore. Por Rumenige ka hedhur gjithçka poshtë. “Nuk e di se si mund të vihet në mëdyshje një lojtar si Levandovski, që ka shënuar 39 gola në këtë sezon. Jemi të kënaqur që është në përbërje të Bajernit dhe që do të jetë edhe në sezonin e ardhshëm. Ai është një makinë golash.”

Mungesat – “Dëmtimet nuk duhet të shërbejnë si alibi për çdo rezultat të mundshëm. Vidal është një lojtar i jashtëzakonshëm si në fazën mbrojtëse dhe në ndërtimin e aksioneve. Edhe lojtarët e tjerë që mungojnë janë shumë të rëndësishëm. Por nuk duhet të na shërbejnë për justifikim.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *