Rumenige: Çmenduri, Nejmar ka kushtuar më shumë se “Allianz Arena”!

Presidenti i Këshillit Drejtues të Bajernit të Mynihut, Karl-Hainc Rumenige, ka folur sot për Sport Bild, duke u ndalur gjatë te transferimi tronditës i Nejmarit nga Barcelona te PSG, për 222 milionë euto.

Ish-legjenda e futbollit gjerman është mjaft i shqetësuar nga shifra e shpenzuar nga klubi francez, që ka ndryshuar përgjithmonë futbollin.

“Kur dëgjova për shifrat e operacionit, u befasova. Nejmar ka kushtuar më shumë se stadiumi ynë Allianz Arena, që nuk do e ndërroja me asnjë futbollist në botë. Kjo është çmenduri”.

Po Bajerni, ku e sheh veten në këtë çmenduri: “Ne duhet të përfaqësojmë një filozofi tjetër. Nuk duam dhe as që mundemi të bëhemi pjesë e kësaj çmendurie, është më e drejtë kështu. Besoj se opinioni publik na kupton dhe tifozët tanë gjithashtu”.

Për Rumenigen, politika e ka fajin: “Komisioni Europian refuzoi në 2011 propozimin e Shoqatës së Klubeve për vendosjen e një tavani për pagat e futbollistëve. Nuk e kuptoj pse politika është kundër UEFA-s dhe klubeve”.

A ka zgjidhje? “Natyrisht. Tavan pagash dhe tavan çmimesh për çdo futbollist. Përndryshe, shumë shpejt tifozët do të mërziten, nuk do të pranojnë një futboll ku disa klube blejnë gjithçka dhe do të kemi një braktisje totale të stadiumeve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *