Ruli i kënaqur: Izmir Smajlaj, në superformë në Lihteshtejn

Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, njëkohësisht dhe trajneri i shkodranit, mbron sportistin, ndërsa pritet 8.30 metra

Gjergj Vyshka

Gjergji Ruli, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, njëkohësisht dhe trajneri i Izmir Smajlajt e ka mbrojtur sportistin e tij në një intervistë për RTSH Sport. Pavarësisht se ende nuk ka mbërritur në 8 metrat, por është me rezultatin e tij më të mirë të vitit 7.90 metra. Madje në ballkaniadën e sallave të mbyllura ishte 7.80 metra, në mitingun ndërkombëtar të Elbasanit 7.88 metra, në kampionatin kombëtar 7.87 metra dhe tani 7.90 metra. Ndërkombëtarët e kanë vlerësuar Smajlajn, aq sa i ka ardhur tashmë një ftesë për një aktivitet në Bjellorusi, ndërsa më pas do të jetë në Tarragona. Në Lihteshtejn ka pasur vështirësi, sepse ka qenë gara në ora 13:20, kohë në të cilën, sipas Rulit, Smajlaj është në gjumë. Por në përgjithësi është në formë. Ja dhe intervista e tij e dhënë për RTSH Sport, të cilën Sport Ekspres po e sjellë të plotë.

90 metra në kampionatin Evropian të vendeve të ulëta, vendi i parë dhe njëkohësisht sportisti më i mirë i aktivitetit. Çfarë mund të bënte më tepër Izmir Smajlaj?

Gara ishte emocionale, ndërsa më tepër vlen medalja se sa rezultati. Një delegacion prej 8 vetash ku dominoi Murataj, që u ngjit në podium dhe mori medalje bronzi në 400 metra, apo dhe Smajlaj, i cili bëri detyrat e shtëpisë në mënyrë korrekte. Duhet të pranojmë që bioritmi i Izmirit në 1:20 të drekës, në atë orë fle gjumë, nuk është i njëjtë me atë të stërvitjes. Në mungesë të kushteve në Tiranë, ne e bëjmë stërvitjen në ora Elbasan 7 deri në 9. Një orar që po i përshtatet edhe Evropianit të Berlinit, sepse përshtatshmëria për ne është në këtë orar. Në Lihteshtejn me një bioritëm tjetër ka bërë një garë të shkëlqyer. Po t’i referohemi shpejtësisë së erës, temperaturës kur është bërë gara, Izmiri ka bërë një garë të shkëlqyer.

Megjithatë 7.90 metra në kërcimin e parë, dy faulla, 7.72 metra me shpejtësinë e erës 2.1 metër në sekondë, 7.70 metra, 7.88 metra. Atëherë?

Kirurgu duhet të bëjë kirurgun, ju gazetarin dhe unë specialistin, apo infermieri detyrën e tij. Nëse do të shohim kërcimin e parë dhe të fundit, pra 7.90 metra dhe 7.88 metra, ne jemi në krye të listës. Kur ne kërkojmë nga atleti në garë edhe eksperimente, edhe ekzagjerim, stimulim për të marrë centimetrin e fundit në pedanë ka dhe faull, sepse kjo është garë intelektuale dhe ndër më të vështirat. Mos harroni që ka bërë dhe një kërcim 8.20 metra, ndërsa është vlerësuar dhe nga Sebastian Koe, apo dhe Robert Emian. Pa harruar që si sportisti më i mirë i Ballkanit është i ftuar në një mitin në Bjellorusi.

Që do të thotë se nuk do të merrni pjesë në Lojërat Mesdhetare…

Absolutisht po! Sapo të vijmë prej Bjellorusisë do të shkojmë në Tarragona, gjithnjë me qëllimin për medalje…

80 metra në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura, 7.88 metra në mitingun ndërkombëtar të Elbasanit, 7.87 metra në kampionatin kombëtar dhe tani 7.90 metra. Kur do të jetë tek 8 metrat?

Atëherë, Izmiri gjatë gjithë vitit të kaluar ka festuar titullin Kampion Evrope në salla të mbyllura dhe i takonte. Më pas është fejuar dhe ka gjetur shoqën e jetës, e cila më 28 dhjetor e ka përcjellë. Në janar ne kemi nisur stërvitjen. Unë pata fatkeqësinë që humba babain dhe për një muaj Izmiri ka mbetur pa busull. Sepse Izmiri nuk është ndër ato atletë që stërvitet rregullisht. Ka bërë çfarë ka mundur, ndërsa tani jemi duke maturuar kërcimet për të arritur finalen në Berlin.

Ndonjë projekt në të ardhmen?

Po jap lajmin më të fundit që shumë shpejt do të jemi me pistë atletikë në kryeqytet në fushën e qytetit Studenti. Është premtim i dhënë nga kryebashkiaku Veliaj, që shpresoj të jetë jo vetëm për garat e verës, por dhe dimërore e aty të bëjmë dhe zyrat tona. Vetëm kështu ecën atletikë, ndërsa gjej rastin të falënderoj sportistë, trajnerë për të gjithë rezultatet e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *