“Ruleta ruse” dërgon në shtëpi Riverin, Al Ain “trondit” argjentinasit

Finalistja e parë e Botërorit të Klubeve është Al Ain. Vendasit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, tronditën të sapokurorëzuarit kampionë të Amerikës Latine, River Plejtin, duke e eliminuar pas goditjes së 11-metërshave. Koha e rregullt u mbyll në një barazim spektakolar 2-2, ndërsa koha shtesë nuk prodhoi asnjë gol.

Sfida nisi me mjaft ritëm, ku brenda 16 minutave u shënuan plot tre gola. Fillimisht ishin vendasit e Al Ain, të cilët kaluan në avantazh pas vetëm 3 minutash, me golin e shënuar nga Markus Berg, pas një goditje nga këndi. Reagimi i River Plejt ishte i menjëhershëm, ku kolumbiani Borre shënoi dy herë brenda pesë minutave, për të kthyer gjithçka.

Në minutën e 11-të fillimisht sulmuesi kolumbian baraspeshoi gjithçka, ndërsa në minutën e 16-të shënoi golin e dytë personal, pasi u tregua i saktë përballë portierit të Al Ain. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e argjentinasve, teksa në minutat e fundit vendasve iu anullua një gol, pas vëzhgimit në sistemin VAR.

Fraksioni i dytë, nisi po ashtu si i pari, me ritëm dhe me gol. Në minutën e 51-të ishte Rodrigo Kaio, braziliani i Al Ain që barazoi shifrat, pas një goli mjaft të bukur, ku shpalosi të gjitha aftësitë e tija individuale. River Plejt u hodh në sulm përsëri në kërkim të fitores dhe rastin më të mirë e kishte në minutën e 69-të, por Martinez gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.

Kështu ekipet e përfunduan sfidën në barazim dhe tashmë ishte radha e kohës shtesë. 15 minutat e para, përfunduan ashtu siç nisën, ku të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme për të mos pësuar. Gjithashtu dhe fraksioni i dytë nuk nxorri fitues, kështu që ekipet iu drejtuan “ruletës ruse” të 11-metërshave, për të vendosur finalisten e parë të Botërorit të Klubeve.

Nga goditjet e 11-metërshave lojtarët u treguan pothuajse të gjithë të saktë dhe penalltia që vendosi gjithçka, ishte ajo e fundit. Pikërisht në goditjen e fundit, në serinë e pestë të gjuajtjeve ishte Enzo Perez, i cili gaboi duke u neutralizuar nga portieri Eisa Kalid, i cili u shndërrua në hero.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *