Ruleta që dogji Berishën? Gasperini e premton: Nuk luhet me sulmin, është e qartë situata!

Ndonjëherë nuk duhet të kesh vetëm aftësinë për të bërë diferencën, por edhe fatin me vete. Nëse do të ishin gjithmonë cilësitë në diskutim, atëherë Etrit Berisha do të shijonte “Champions League-n” në këtë sezon. Por kjo nuk ndodhi.

Kjo pasi trajneri Gasperini luajti ruletën në portë. Fillimisht të gjithë u çuditën me vendimin e këtij trajneri, që u shpreh hapur se nuk kishte portier titullar në skuadrën e tij. Në disa raste do të ishte Berisha, në disa të tjera Gollini.

Ky i fundit gjendej në momentet më të mira të kampionatit, duke marrë merita për atë mrekulli të bërë nga ana e ekipit nga Bergamo, megjithëse nuk bëri asgjë të jashtëzakonshme për të nxjerrë Berishën nga loja. Thjesht gardiani shqiptar nuk ishte në momentin e duhur, por gjendej pikërisht në ato kohë kur skuadra çalonte në shumë aspekte. Pra, ruleta zgjodhi Golinin.

Tifozët dhe shtypi menduan se e njëjta gjë do të ndodhi edhe me sulmin tani, pasi të gjithë futbollistët duken me të njëjtat kualitete dhe nuk ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Por këtë herë është vetë Gasperini që sqaron gjithçka, duke u shprehur se nuk do e ketë një të dytë:

“Situata është shumë e qartë, sepse ndryshe do të bëhej një tjetër rast si Berisha-Golini në sezonin e shkuar. Në sulm ne kemi 4 futbollistë me karakteristika të tilla. Disa herë do të luajmë me dy dhe disa herë me tre. Ne kemi 7 ndeshje për të zhvilluar në 22 ditët e ardhshme, prandaj ato do të ndërrohen si të dëshironi”, ka thënë Gasperini. /Sport Ekspres