Ruiz: Joshua më nënvleftësoi, jam fans i Tyson Fury-t

Kampioni i botës Andy Ruiz është rikthyer të flasë për duelin e tij me Anthony Joshua-n dhe të ardhmen e tij. Meksikani konfirmoi se ai dhe Joshua do të ndeshen përsëri brenda këtij viti.

NOKAUTI I PARË – “Ai më rrëzoi në raundin e tretë. Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë në karrierën time. Më kapi me një goditje të pastër, nuk e pashë dot. Gjithsesi u ngrita dhe si luftëtari që jam u ngrita dhe i kërkova zotit forcë për ta fituar duelin. E dija që do të vinte për të më nxjerrë nokaut dhe u tregova i zgjuar. U shmanga gjuajtjeve të tij të para dhe më pas fillova ta godisja derisa arrita atë që doja”.

“Gjëja e parë që bëra me paratë e duelit ishte blerja e një makine për mamanë time. Tani çdo gjë ka ndryshuar për ne. Tani do blejmë një shtëpi  të re. Si familje kemi pasur të gjitha gjërat që na nevojiteshin, por jo ato që dëshironim”.

DUELI I DYTË –“Jemi akoma në negociata. Nëse dueli do zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar, sigurisht që do të duhet të më paguajnë më shumë. Gjithsesi e sigurt është se dueli do përsëritet dhe do të ndodhë brenda këtij viti. Gjyqtarët e favorizuan atë, por ia dola të fitoja me nokaut. Të njëjtën gjë synoj të bëj në ndeshjen e kthimit. Do të tregohem akoma më agresiv se herën e parë. Joshua më nënvleftësoi po mendonte për duelet e tjera, kujtonte se e kishte fitoren e sigurt me mua. Unë s’do bëj të njëjtin gabim”.

Intervistuesi i përmendi meksikanit një deklaratë të Tyson Fury, i cili e përshkroi atë si një boksier të mbaruar që ai dhe Deontay Wilder mund ta rrihnin pa probleme. Ruiz nuk pranoi t’i kundërpërgjigjej anglezit: “Për atë të gjithë janë të mbaruar. Gjithsesi unë mbetet një fans i Fury-t. S’dua të flas keq për të. Shpresoj që të vazhdoj kështu si ai dhe Wilder. Jemi të gjithë boksierë që vëmë jetën në rrezik. Nuk flas jashtë ringut, punët e mija i bëj brenda ringut”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *